Tensionet në veri të Kosovës, Saiti: Frikë dhe rrezik për një luftë tjetër! Politika duhet të jetë e unifikuar
Gazetari i Syri Tv, Gazment Saiti, komentoi në emisionin 'A Show’ me Adi Krastën tensionet në veri të Kosovës. Gazmend Saiti tha se situata në Kosovë është shumë komplekse ndërsa theksoi se familjarët e tij atje, ndjejnë frikën e një lufte tjetër.
"E njoh situatën më shumë se nga kolegët gazetarë që raportojnë nga vendi i ngjarjes në Mitrovicë. Ndërsa nga ajo që më tregojnë familjarët e mi në Kosovë, e shohin me shumë rrezik të madh."-tha Saiti.
Gazetari deklaroi se deri tani në Kosovë është krijuar një llojë imunizimi me atë se çfarë ka ndodhur në Mitrovicë me vite të tëra dhe duke filluar nga viti i kaluar, 2021-2022 situata ka agravuar dhe kemi ardhur në këtë moment barrikadash, dhune dhe kërcënimesh.
“Ajo që ndodh realisht në Mitrovicë është vërtetë për tu frikësuar. Familjarët e mi siç e thashë edhe më parë, kanë frikën e rikthimit të luftës sërish në Kosovë dhe djemtë që do dërgojnë sërish në luftë për diçka që ka mbaruar që në 99-ën por që po rikthehet me ndihmën e të huajve, në rastin konkret të Rusisë, një ndikim shumë të fortë në Serbi.”-tha Saiti.
Sa i përket politikës së Kosovës përballë një agresioni të tillë të Serbisë, Saiti tha se nuk po arrijnë dot të menaxhojnë kohën për të marrë në kontroll atë çfarë është humbur që kur serbët e ndanë Mitrovicën në dy pjesë.
“Partitë politike në Kosovë e shohin situatën në Mitrovicë duke e kthyer në një politike lokale, por nuk është politikë lokale, por një politikë që i përket gjithë Kosovës. Politika në Kosovë duhet të jetë e unifikuar me kryeministrin, sado i keq të jetë, përballë një situate të tillë nuk ka të bëjë as me buxhetin, as me korrupsionin.”-deklaroi Saiti.