18 ditë barrikada/ 'Zgjohet' Rama, nxjerr Xhaçkën që të flasë mbi palët pa përmendur Vuçiçin
Tensionet në veri të Kosovës janë argumenti kryesor i opinionit publik jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe në Europë.
Por pavarësisht se situata e tensionuar vazhdon prej 18 ditësh dhe barrikadat janë kryefjala e këtyre ditëve, qeveria shqiptare u kujtua të reagojë sot me një postim të shkurtër.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, foli me gojën e Edi Ramës, duke mbajtur sërish një qëndrim mbi palët.
Edhe Xhaçka nuk guxoi të përmendë Serbinë dhe Aleksandër Vuçiçin, që po nxisin këtë krizë, me ndihmën e Rusisë.
Po ashtu ajo nuk tha asnjë fjalë për faktin se Serbia e ka vendosur ushtrinë e saj në gjendjen më të lartë të gatishmërisë, një çështje që po dominon mediat e huaja.
“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallezimi i tensioneve.
Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate.
Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë.
Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t'i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë,” shkruan Xhaçka në mediat sociale.