Zhulali: S’është iluzion, rreziku është real në veri! Rama ka cënuar interesin e Kosovës

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës. Zhulali tha se ideja e ndarjes së Kosovës ishte e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Sakaq, Zhulali deklaroi se Rama i ka bërë një dëm të madh interesave shqiptare, e në veçanti Kosovës.

"Jemi në një situatë të rrezikshme, duhet të vetëdijësohemi. Mendojmë se gjërat janë zgjidhur përgjithmonë me NATO-n në Kosovë, por asgjë nuk është e sigurt.

Duhet të ketë një përpjekje të koordinuar të shqiptarëve kudo që ndodhen për të shpëtuar një projekt të madh, integrimin drejt BE-së.

Projekti rus në rajon synon minimin e kësaj të ardhemje dhe të vendosë ballkanin si zonë të influencës ruse. Ky s'është një iluzion, por rrezik real.

NATO është prezente në Kosovë por dhe influenca e politikës serbe në Europë, Amerikë dhe vende të tjera është shumë më e madhe se para disa vitesh."-tha Zhulali.

Zhulali tha se çdo ditë po shohim paradoksin mes alarmit që ka ngritur SHBA-BE për sjelljen e Rusisë kundër Ukrainës dhe mospranimin e faktit që Serbia po sillet si të ishte një Rusi. Ekspertja deklaroi se po ushtrohet një presion shumë i madh ndaj Kosovës.

“Serbia po minon të gjitha proceset e paqes. Po ushtrohet shumë presion ndaj Kosovës. Serbia është një nga regjimet autoritare të këtij rajoni.”-tha Zhulali.