George Soros financon ‘gazetarë’ e prokurorë që promovojnë axhenda radikale majtiste

Nga Vicky Arias, FISM News

Fondacioni për Shoqëri të Hapur (OSF) i George Soros dhuron shuma të mëdha parash në formë bursash për individë të veçantë, përfshirë edhe të ashtuquajtur gazetarë e prokurorë që promovojnë axhenda radikale majtiste.

OSF iu jep bursa individëve që bien dakord të vënë në jetë projekte që avancojnë ide të majta, përfshirë një ristrukturim ekstrem të sistemit ligjor amerikan. Këto projekte synojnë, pjesërisht, reformën e drejtësisë penale të SHBA.

Marrësit e bursave mund të përfitojnë mijëra dollarë për të pranuar të punojnë me kohë të plotë në projekte që mbrojnë përmbysjen e shumë politikave ligjore amerikane.

Sipas udhëzuesit të aplikimit për 2023 Soros Justice Fellowships, fondacioni do të marrë në konsideratë financimin e një serie projektesh që nxisin ndryshimet në sistemin gjyqësor të SHBA. Midis këtyre projekteve janë ato që “kërkojnë të reduktojnë numrin e njerëzve që burgosen apo që vihen nën kontroll korrektues (dhe) sfidojnë dënimet shumë të gjata me burg që janë bërë norma e pranuar si përgjigje për krimet e rënda e të dhunshme”.

Udhëzuesi shpjegon se OSF e konsideron “sistemin ligjor penal si një numër jashtëzakonisht kompleks politikash, praktikash, institucionesh e besimesh që i kanë rrënjët thellë në supremacinë e bardhë dhe në trashëgiminë (amerikane) të skllavërisë, pushtimit e kolonializmit”.

Sipas Slay News, “Soros paguan gazetarë nga 63,000 deri në 85,000 dollarë për publikimin e lajmeve pozitive për përpjekjet e aktivistëve të tij ‘woke’”.

Soros ka përkrahur edhe shumë “prokurorë liberalë në gjysmën e juridiksioneve më të mëdha të Amerikës, shumë prej të cilave tani janë të mbytura nga krimi”, shkruan Washington Free Beacon.

Një raport i Law Enforcement Legal Defense Fund, publikuar në korrik 2022, thotë se “nga 2018 deri më 2021, Soros shpenzoi 13 milion dollarë vetëm për fushatat e 10 prokurorëve, ku organizatat e tij ishin shpenzuesit më të mëdhenj në garë”.

Prokurorët e përkrahur nga Soros në New York e Los Angeles, përkatësisht Alvin Bragg e George Gascon, kanë parë se si kriminaliteti është rritur ndjeshëm para syve të tyre.

CNN raportonte në mars një “rritje 41% në numrin e krimeve të mëdha” në New York, dhe, sipas ABC News, “vrasjet e regjistruara nga policia e Los Angeles kanë arritur nivelin më të lartë prej një dekade” gjatë gjashtë muajve të parë të 2022.

Senatori Republikan Tom Cotton dënoi axhendën e Sorosit e të prokurorëve të mbështetur prej tij për butësi me krimin, në një deklaratë për New York Post në dhjetor 2021.

“Kudo ku janë prokurorët e Sorosit është edhe krimi”, tha Cotton. “Këta zjarrvënës ligjorë kanë braktisur detyrën për siguri publike duke aplikuar mëshirë edhe për krimet më të tmerrshme dhe shpesh refuzojnë hapur të akuzojnë kriminelët për vjedhje dyqanesh, vagabondazh, dhe kategori të tëra krimesh të vogla”.

Forumi Ekonomik Botëror, krijues i axhendës “Great Reset” (Rinisja e Madhe), e liston Sorosin si “kontribues të axhendës”.