'Shpopullim masiv'/ Fermeri: Deklaratat e Krifcës, qesharake! Loja që fshihet pas dialogut me Braçen

Fermeri Alban Çakalli, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv deklaratat e ministres Frida Krifca e cila tha se janë mbjellë më shumë pemë se sa u planifikuan dhe mungesën e tregut për vajin e ullirit.

Fermeri Alban Çakalli tha se deklarata e ministres Krifca është qesharake ndërsa shtoi se Shqipëria shquhet për kultivimin e ullirit. Sakaq, ai shtoi se qeveria nuk e promovoi vajin e ullirit në panaire ndërkombëtare.

"Nuk janë 10 milionë rrënjë ullinj por 11 milionë rrënjë. Ullinjtë janë mbjellë me standardin më të lartë, ne kemi fabrika shumë moderne, më të mirat që kanë sjellë nga BE.

Kemi laboratorë certifikues shumë të mirë. Problemi çalon sepse ministria e Bujqësisë nuk e ka promovuar vajin tonë në panaire ndërkombëtare.

U bë panairi më i madh në Azi, merrnin pjesë shtete që prodhonin vaj ulliri dhe lidhën kontrata me Kinën e Japoninë, Shqipëria nuk mori pjesë në atë panair.

Ministrja e Bujqësisë në vend që të dialogojë me fermerët, dialogon me deputetin Braçe, s’kanë pse dialogojnë, janë brenda së njëjtës parti. Lojë sikur po bëjnë diçka për fermerët dhe na fajësojnë për mbiprodhim.”-tha Çakalli

Sakaq, fermeri tha se janë në kushte shumë të vështira ndërsa shtoi se në 30 vitet e fundit ky është viti më i vështirë. Ai foli edhe për shpopullimin.

“Largohen fermerët, lënë rrushin, ullinjtë, emigrojnë,. Emigrimi është një plagë e madhe, vështirë t’i kthesh fermerët sepse kanë marrë dhe familjet me vete.”-tha fermeri.