Tensionet në veri, Ibishi: Vuçiç, aleat i Putin, kërkon konflikt! Shala: Ja kur do ndërhyjë Policia

Ekspertët e sigurisë, Dizan Shala dhe Nuredin Ibishi Leka, komentuan në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës.

Ibishi tha se kryeministri Albin Kurti ka deklaruar qartë se nëse nuk ndërhyn KFOR-i, do të ndërhyjë policia e Kosovës për barrikadat.

Ibishi tha se Serbia kërkon të shkëpusë veriun e Kosovës ndërsa shtoi se KFOR po negocion me palët.

“Serbia si aleat i Rusisë, duan një konflikt të ri. Përqendrimin e kanë në Kosovës. Aleancë me Putinin. Qëllimi i Serbisë në Kosovë është të shkëpusë veriun përmes barrikadave e duke tensionuar situatën.

Serbia po luan rolin e Rusisë së vogël. Policia e Kosovës ka njësi të specializuara për veprime të veçanta. KFOR është zotuar se do parandalonte barrikadat por së fundmi janë deklaruar se kanë filluar bisedimet me palët.”-tha Ibishi.

Sipas ekspertit Dizan Shala, ndërkombëtarët po përpiqen të bindin palën serbe ndërsa shtoi se në veri të Kosovës po veprojnë struktura të krimit të organizuar. Sakaq, ai theksoi se nëse nuk ndërhyn KFOR, më 1 janar 2023 ndërhyn Policia e Kosovës për heqjen e barrikadave.

“Kemi dhe struktura shtetërore serbe që e mbështesin këtë situatë. Ndërkombëtarët po vëzhgojnë, policia e Kosovës po shikon procesin. Nga pala serbe ka patur rritje të tensioneve. Ka patur kërcënime. Shpresojmë që këto barrikada mos të qëndrojnë gjatë. Barrikadat s’mund të qëndrojnë në fillim të vitit të ardhshëm, Policia e Kosovës i ka kapacitetet për të ndërhyrë. Nëse s’i heq KFOR deri më datë 31, në datën 1 të vitit të ardhshëm do hiqen nga Policia e Kosovës.”-tha Shala.