SYRI TV/ Pista të reja për vrasjen e Edmond Papës, dyshime se u bë për zhdukjen e drogës

Vrasja e Edmond Papës mund të ketë ardhur nga zhdukja e një sasie prej 700 kg droge. Hetuesit po kërkojnë prova që këtë vrasje ta lidhin me 2 ngjarje të tjera, të Aleksandër Sadikajt dhe vrasjen në mes të Athinës të 2 shqiptarëve. Ndërkohë, një grup ekspertësh pritet të nisen ditët në vijim nga Tirana drejt shtetit helen për të shkëmbyer informacione. Nga ana tjetër, Syri Tv mëson se Edmond Papa rreth 4 vite më parë ka qenë nën hetim pasuror nga orokuroria e Fierit, por ai pushoi në rrethana të dyshimta.

Nga SYRI TV

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 49-vjeçarit Edmond Papa rreth dy javë më parë në afërsi të zonës së Selitës në Tiranë.

Burime jozyrtare konfirmojnë dyshimet për lidhjet e tij me grupet kriminale të trafikut të narkotikëve.

Bëhet fjalë për një sasi prej 700 kg kanabis sativa që ishte dakortësuar të futej nga Shqipëria në Greqi, por që u zhduk pa gjurmë.

Dyshohet se në këtë ngarkesë, Papa të ketë qenë i përfshirë apo të ketë pasur dijeni, ndërsa të njëjtat dyshime ngrihen edhe për 3 viktima të tjera në dy atentate të ndryshme.

Bëhet fjalë për vrasjen e Aleksandër Sadikajt në qershor të këtij viti me tritol, teksa lëvizte me makinën e tij në aksin Tiranë-Elbasan.

Ngjarja tjetër, ndodhi disa ditë më parë në mes të kryeqytetit helen, ku brenda një kafeneje, një person i paidentifikuar ende, ekzekuton me armë zjarri shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja.

Nuk përjashtohet mundësia që ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe shkak të ketë qenë aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Syri Televizion mëson se Edmond Papa ka qenë i proceduar edhe në Shqipëri, regjistruar nga prokuroria e Fierit.

Hetimi pasuror u pushua nga gjykata e të njëjtit qytet në rrethana të dyshimta po me kërkesë të prokurorisë së Fierit, e cila ishte edhe institucioni që e kërkoi nisjen e hetimit.

Një vendim i tillë erdhi ndonëse 49-vjeçari ishte i skeduar si pronar i një sërë bizneseve e pasurive të paluajtshme përfshirë sipërfaqe banimi në Fier, biznese kryesisht në shërbime hoteliere në Sarandë si dhe apartamente, njësi shërbimesh dhe tregtie në Tiranë që kapin vlera prej disa milionë eurosh të dyshuara që ishin vendosur nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se një grup ekspertësh dhe hetuesish nga Tirana, pritet të nisen drejt Athinës, për të mbledhur prova, dëshmi dhe të dhëna rreth ngjarjeve në fjalë.

Së fundmi ka pasur kontakte të herëpashershme mes autoriteteve shqiptare dhe greke që kanë shkëmbyer informacione rreth pistave që po hetohen.