Kina do t’i lejojë udhëtimet ndërkombëtare që nga janari, pavarësisht përhapjes së COVID
Kina është gati të heqë ndalimin që i ka bërë udhëtimeve për shkak të COVID-19 dhe të rihapë kufijtë e saj, edhe pse infeksionet në rritje e kanë vënë në vështirësi sistemin shëndetësor dhe kanë tronditur ekonominë.
Kinezët, të shkëputur nga pjesa tjetër e botës për tre vjet për shkak të COVID-19, u dyndën në faqet e udhëtimeve në internet të martën, njofton Euronews.
Masat për asnjë tolerancë- që nga mbyllja e kufijve deri te bllokimet e shpeshta – e kanë goditur ekonominë e Kinës që nga fillimi i vitit 2020 dhe nxitën muajin e kaluar shfaqjen më të madhe të pakënaqësisë publike në kontinent që kur Presidenti Xi Jinping mori pushtetin në 2012.
Kthesa e politikës së tij këtë muaj do të thotë se virusi tani po përhapet në mënyrë thuajse të pakontrolluar në të gjithë këtë shtet me 1.4 miliardë banorë.
Statistikat zyrtare, megjithatë, treguan vetëm një vdekje nga COVID në shtatë ditët e fundit deri të hënën, duke nxitur dyshime midis ekspertëve shëndetësorë dhe banorëve për të dhënat e qeverisë.
Numrat nuk janë në përputhje me përvojën e shteteve shumë më pak të populluara se Kina, pasi ato u rihapën.
Mjekët thonë se spitalet janë të mbingarkuar me pesë deri në gjashtë herë më shumë pacientë se zakonisht, shumica prej tyre të moshuar.
Ekspertët ndërkombëtarë të shëndetit flasin për miliona infektime në ditë dhe parashikojnë të paktën një milion vdekje nga COVID në Kinë vitin e ardhshëm.
Sidoqoftë, autoritetet në vend janë të vendosura të heqin edhe mbetjet e fundit të politikës së tyre “zero-COVID”.
Një ‘bum” i kërkimeve për bileta avioni dhe destinacione jashtë kufirit
Duke bërë një hap të madh drejt lehtësimit të kufijve, të mirëpritur nga tregjet aziatike të aksioneve të martën, Kina do të ndalojë së kërkuari nga udhëtarët që hyjnë në vend të hyjnë në karantinë që nga 8 janari, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetit të hënën vonë.
"Më në fund ndihet sikur Kina ka bërë kthesën," tha Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë, Colm Rafferty për heqjen e planifikuar të kufizimeve të karantinës.
Të dhënat nga platforma e udhëtimit Ctrip treguan se brenda gjysmë ore pas lajmit, kërkimet për destinacionet e njohura ndërkufitare ishin dhjetëfishuar. Makau, Hong Kongu, Japonia, Tajlanda, Koreja e Jugut ishin më të kërkuarit, njoftoi Ctrip.
Të dhënat nga një tjetër platformë, Qunar, treguan se brenda 15 minutave pas lajmit, kërkimet për fluturime ndërkombëtare u rritën shtatëfish, me Tajlandën, Japoninë dhe Korenë e Jugut në krye të listës.
Menaxhimi i COVID-it në Kinë gjithashtu do të ulet në kategorinë më pak strikte, B, nga kategoria aktuale e nivelit të lartë A që nga 8 janari, tha autoriteti shëndetësor, pasi tha se është bërë më pak virulent.
Ndryshimi do të thotë se autoritetet nuk do të detyrohen më të karantinojnë pacientët dhe kontaktet e tyre të ngushta dhe të mbyllin rajonet.
Por me gjithë entuziazmin e një kthimi gradual në një mënyrë jetese para COVID-it, kishte presion në rritje mbi sistemin e kujdesit shëndetësor të Kinës, me mjekët që thanë se shumë spitale janë të mbingarkuar ndërsa punonjësit e salloneve të funeralit raportuan rritje të kërkesës për shërbimet e tyre.
Infermierëve dhe mjekëve u është kërkuar të punojnë ndërsa punonjësit mjekësorë të sëmurë dhe në pension në komunitetet rurale po ripunësohen për të ndihmuar, raportoi media shtetërore. Disa qytete kanë luftuar për të siguruar furnizime me ilaçe kundër etheve.
"Vetëm shikoni sallonet e funeralit në qytete të ndryshme. Kam dëgjuar se duhet të qëndrojmë në radhë për tre deri në pesë ditë për djegien e trupave në krematoriume këtu," u ankua një person në provincën lindore Shandong në mediat sociale.