SYRI TV/ PPP në shëndetësi, 34% më shumë fonde se kanceri - terapitë inovative, jashtë listës së rimbursimeve

Kontratat PPP në shëndetësi në një vit kanë marrë 34% më shumë fonde sesa trajtimi i kancerit. Teksa sëmundjet tumorale kanë pasur përhapje të gjerë vitet e fundit në vend, duke marrë mijëra jetë njerëzish, ato janë nëntrajtuar  me fonde publike, ndërsa  shumë terapi dhe mjekime inovative nuk janë përfshirë ende në listën e rimbursimit

Nga SYRI TV

Kontratat koncensionare miliona euroshe  në shëndetësi po financojnë shërbime që nuk kanë në thelb trajtimin e sëmundjeve prioritare të rënda me kosto për qytetarët dhe që përfundojnë në fatalitete.

Të dhënat zyrtare të vitit 2021 të Ministrisë së Financave të analizuara nga Monitor evidentojnë se 4 kontratat koncensionare PPP në shëndetësi morën financime 30,8 milionë euro, në një kohë që fondet buxhetore për trajtimin e kancerit në të njëjtin vit sipas Ministrisë së Shëndetësisë ishin vetëm 23 milionë euro.

Fondet buxhetore për trajtimin e kancerit janë pak më të larta se shpenzimet për sterilizimin e sallave kirurgjikalë me kontrate PPP.

Sipas të dhënave zyrtare fondet për kontratat PPP në shëndetësi në vitin 2021 ishin 34% më të larta se fondet për trajtimin e të sëmurëve me kancer në të njëjtin vit.

Teksa sëmundja ka përhapje të gjere përgjatë tranzicionit, gjithashtu ka kosto të larta të trajtimit.

Kjo sëmundje është e nëntrajtuar me fonde publike dhe shumë terapi të reja mjekimi inovative nuk janë përfshirë ende në listën e rimbursimit.

Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, përgjegjës për 8.2 milionë vdekje në vit.

Në Shqipëri humbin jetën nga kjo sëmundje 3500-3600 persona në vit.

Studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se një e treta e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme dhe shumë lloje kanceri nëse zbulohen herët janë të shërueshëm.

Megjithatë, duket se fondet buxhetore po përdoren më tepër për shërbime joprioritare, duke lënë në hije sëmundjet e rënda që kanë më shumë probabilitet për të marrë jetë njerëzish.