SYRI TV/ Nuk përfundon tregu i fruta-perimeve në Lushnje, duhet të ishte gati në dhjetor

Dështon përfundimi në afat i tregut të fruta-perimeve në Lushnjë. Sipas kontratës, investimi prej 230 milionë lekësh do të duhet të ishte gati për shitësit në vjeshtë të këtij viti. Por nga një vëzhgim i Syri TV konstatohet lehtësisht se ka ende shumë punë për të bërë dhe tregu nuk është gati. Në mungesë të tregut, prodhimet shiten në rrugë mes baltës e pluhurit, duke vënë në rrezik shëndetin e konsumatorit.

Nga SYRI TV

Zvarriten punimet për ndërtimin e tregut të fruta-perimeve në Lushnjë, i cili sipas kontratës do të duhet të ishte mbyllur brenda këtij viti. Në maj të këtij viti, bashkia e Lushnjës nisi punën për ndërtimin e tregut, duke dhënë një fond prej 230 milionë lekësh. Sipas kontratës, afati i punimeve për ndërtimin e tregut, ishte katër muaj nga lidhja e kontratës. Por, kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, tregu i ri i Lushnjçs është në këtë gjendje që shihni në pamje…

Siç shihet nga pamjet, në tregun e ri ka ende shumë punë për të bërë. Deri më tani, në treg janë vendosur vetëm shtyllat metalike të strukturës, ndërsa nuk është vendosur mbulesa, betonimi i bazamentit, apo dhe gjithë detajet që e bëjnë funksional këtë treg.

Në gusht të këtij viti, drejtuesi politik i qarkut për Partinë Socialiste Taulant Balla dhe kryebashkiakja Eriselda Sefa, inspektuan punimet në treg, ku ndër të tjera premtuan se ky ambient do të ishte gati deri në fund vit, madje sipas Taulant Ballës, tregu do të inaugurohej para Krishtlindjeve.

Por premtimi i Taulant Ballës duket një mashtrim. Madje nëse këqyr punimet, konstaton lehtësisht, se në katër muaj, pra që nga dita që tregu u inspektua nga zyrtarët socialist, e vetmja gjë që ka ndryshuar, është pikërisht vendosja e kolonave metalike, ndërsa nuk është kryer asnjë punim tjetër.

Në të tilla kushte, ata që vuajnë janë tregtarët që prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale i shesin në rrugë dhe jashtë çdo kushti higjeno-sanitar.

Gjithashtu, konsumatorët vihen në rrezik, duke blerë të tilla prodhime që shiten në rrugë, në baltë kur bie shi, dhe me pluhur kur koha është e mirë, pasi 230 milionë lekë për të ndërtuar një treg nuk dihet se ku kanë përfunduar.