Situata e tensionuar në veri të Kosovës, Mediu: Të thirret sa më parë Këshilli i Sigurisë Kombëtare!

Ushtria serbe është vendosur në nivelin e saj më të lartë të gatshmërisë luftarake pas përshkallëzimit të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti Aleksandër Vuçiç është shprehur se do të ‘marr të gjitha masat për të mbrojtur popullin tonë dhe Serbinë.’

Ky alarm është dhënë pasi disa medie serbe pretendojnë se Prishtina po përgatit ‘një sulm’ ndaj zonave etnike serbe në veri të Kosovës.

Në lidhje më këtë situatë ka reaguar dhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu i cili në një status të tij në rrjete sociale shprehet se duhet të thirret sa më parë Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Mediu shton më tej se Shqipëria nuk mund të mbajë këtë pozicion të papranueshëm në lidhje me situatën në Kosovë.

Kryetari i Partisë Republikane e mbyll statusin e tij duke u shprehur se Serbia dhe Vuçiç po ndjekin qartësisht udhëzimet e Rusisë dhe Putinit për të realizuar qëllimet e tyre në Ballkan si dhe për të krijuar një konflikt në rajon, e cila është pjesë e strategjisë të deklaruar të Rusisë.

Statusi i plotë i Fatmir Mediut:

Të thirret sa më parë Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

[?] Shqipëria nuk mund të mbaj këtë pozicion të papranueshëm në lidhje me situatën në Kosovë:

[?] Vendosja e mbi 5000 trupave Serbe në kufi me Kosovën me gjithë mjetet luftarake është qartësisht agresioni ushtarak, është e njëjta sjellje si e Rusisë me Ukrainën.

[?] Çfarë duhet të ndodh më që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Presidenti pavarësisht se Këshill ka kohë që ka dalë nga funksioni i tij Kushtetues duhet ta thërras urgjent atë dhe të përcaktojë detyrimet e qeverisë, shërbimeve inteligjente dhe atyre diplomatike për këtë situatë

[?] Çfarë duhet të presi Kryeministri, që ta shtrojmë këtë çështje dhe situatë urgjentisht në NATO?

[?] Konsultimi dhe kordinimi me vendet e tjera të NATO-s në Ballkan është domosdoshmëri, sepse jo vetëm situata në Kosovë, por dhe ajo në BiH, në Malin e Zi dhe shpenzimet ushtarake të Serbisë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, janë tashmë një shqetësim real për vendet e Ballkanit, por dhe për aleatët tanë

[?] Në bashkëpunim me SHBA dhe vëndet e tjera partnere duhet kjo çështje të shtrohet në Këshillin e Sigurisë së OKB.

[?] Serbia dhe Vuçiç po ndjekin qartësisht udhëzimet e Rusisë dhe Putinit për të realizuar qëllimet e tyre në Ballkan si dhe për të krijuar një konflikt në rajon, pjesë e strategjisë të deklaruar të Rusisë