Manchester United po kërkon zëvendësuesin e Ronaldos

Manchester United është vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin e Cristiano Ronaldos.

“Djajtë e Kuq” u ndanë me yllin portugez muajin e kaluar pas intervistës së tij shokuese për klubin anglez.

Trajneri Erik ten Hag e ka pranuar se gjiganti britanik ka nevojë për sulmues për pjesën e dytë të sezonit, pak ditë para fillimit të merkatos së janarit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se e kemi humbur një sulmues, kështu që ne duhet ta marrim një sulmues. Sidoqoftë, duhet të jetë një lojtar i duhur. E i duhuri është që të na sjellë kualitet në ekip, jo veç ta shtojmë në skuadër, pasi kjo veç do të na sillte probleme. Dhe, ju e dini që kriteret janë të larta këtu në Manchester United”, deklaroi trajneri holandez para mediave.

Manchester United aktualisht gjendet në vendin e pestë në Premierligë me 26 pikë, 14 më pak se kryesuesi Arsenal, i cili e ka një ndeshje më shumë.

Sonte, United pret Nottinghamin në “Old Trafford”, në ndeshjen që do të fillojë në orën 21:00.