VIDEO/ Korçë: Dëmtohen skulpturat e bllokut muzeal në hyrje të parkut
Persona të paidentifikuar ende kanë dëmtuar skulpturat e parkut të qytetit të Korçës. Burime bëjnë me dije se dëmtimi i tyre ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas informacioneve të siguruara nga Syri TV, janë dëmtuar 2 prej skulpturave të bllokut muzeal që ndodhet në hyrje të parkut. Kanë qenë punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve publike ata që kanë konstatuar dëmtimin e skulpturave.
Njoftimin e ka marrë edhe Policia e Korçës, të cilët kanë filluar hetimin për rastin duke krehur zonën dhe duke parë nëse ka kamera sigurie në zonë, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Nuk është hera e parë që skulpturat e parkut bien pre e dëmtimeve nga persona të papërgjegjshëm.
Skulpturat janë të krijuara prej guri, janë abstrakte, të punuara nga artistë nga e gjithë bota. Janë më tepër se 90 skulptura të ekspozuara te ky bllok muzeal.