U vra në Tiranë/ Papa i proceduar edhe në Shqipëri, si u pushua hetimi
Për Edmond Papën, viktimë e një atentati deri tani pa autor, që i mori jetën në kryeqytet, ka patur një hetim pasuror nga Prokuroria e Fierit disa vite më parë. Në rrethana të panjohura deri tani, Gjykata e Fierit vendosi pushimin e hetimeve, çuditërisht me kërkesë të organit të akuzës që e kishte regjistruar vetë kërkesën për procedim, ndonëse 49-vjeçari ishte i skeduar si pronar i një sërë bizneseve e pasurive të paluajtshme në Fier, Sarandë dhe Tiranë, të dyshuara që ishin vendosur nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.
Bëhet fjalë për sipërfaqe banimi në Fier, biznese kryesisht në shërbime hoteliere në Sarandë, si dhe apartamente, njësi shërbimesh dhe tregtie në Tiranë që kapin vlera të konsiderueshme. Nga të dhënat jo zyrtare në kuadër të hetimeve që po kryhen për vrasjen për e tij, ka dyshime që viktima merrej ende me aktivitetin kriminal të trafikut të drogës, kryesisht mes Greqisë dhe Shqipërisë, me sasi të konsiderueshme dhe të organizuar.
Lidhur me dënimin, por edhe periudhën pas saj në Greqi, si dhe për të rënë në gjurmët e autorit/ve, një grup hestuesish nga Policia e kryeqytetit, pritet të nisen drejt shtetit fqinj. Ata do të kërkojnë informacione rreth aktivitetit të Papës në këtë shtet, lidhjet e tij si dhe pistat që po hetojnë autoritetet helene në lidhje me një vrasje të dyfishtë në mes të Athinës pak ditë më parë.
E njëjta pistë dhe të njëjtat dyshime, hetuesit i kanë patur edhe për Aleksandër Sadikajn, të ekzekutuar me tritol në mënyrë mafioze brenda automjetit të tij në aksin Tiranë-Elbasan mesditën e 11 qershorit të këtij viti. Edhe për këtë ngjarje e cila mbetet e pazbardhur, dyshimet bien mbi larjen e hesapeve për pazare droge me Greqinë. Njësoj si për Papën edhe Sadikaj ka dyshime të forta të ketë qenë i përfshirë në aktivitetin kriminal të narkotikëve, ndërsa Shqipëria dhe Greqia po shkëmbejnë informacione të vazhdueshme me dyshimet se mund të kenë qenë pjesë e të njëjtit grup.
Për më tepër, autoritetet e vendit fqinj, kanë dyshime se edhe ekzekutimi mafioz i Kreshnik Çerçizajt dhe Armando Ogranajas, në Greqi të jetë zgjatim i sagës së hesapeve të pambyllura mbi borxhet e drogës. Kjo pistë nuk konfirmohet por as nuk mohohet edhe nga autoritetet shqiptare, të cilat shprehen të rezervuara për të dalë në përfundime konkrete "pa patur prova bindëse".