56 viktima dhe njerëz të bllokuar në makina prej disa ditësh, ç'po ndodh në SHBA me stuhinë 'përbindësh'
Të paktën 28 njerëz kanë vdekur në shtetin perëndimor të Nju Jorkut, shumica prej tyre në Buffalo, pasi një stuhi dimërore përbindësh po godet Amerikën e Veriut.
Një zyrtar shtetëror tha se disa njerëz ishin bllokuar në makina për më shumë se dy ditë gjatë asaj që ishte "ndoshta" stuhia më e keqe e jetës së tyre.
Deri të martën pritet të ketë deri në 23 cm të tjera borë në pjesë të shtetit, paralajmërojnë meteorologët
Stuhia që shtrihet nga Kanadaja në kufirin me Meksikën ka vrarë 56 persona.
Presidenti amerikan Joe Biden miratoi një deklaratë emergjente që lejon mbështetjen federale për shtetin e Nju Jorkut. “Zemra ime është me ata që humbën të dashurit këtë fundjavë festive”, shkroi ai në Twitter.
Mark Poloncarz, ekzekutivi për Erie County ku ndodhet Buffalo, tha: "Ne mund të shohim një lloj drite në fund të tunelit, por ky nuk është ende fundi."
Gjatë fundjavës rreth 250,000 shtëpi dhe biznese patën ndërprerje energjie- megjithëse energjia është rivendosur në mënyrë të qëndrueshme.
Vdekje të lidhura me stuhinë u raportuan gjithashtu në Vermont, Ohio, Missouri, Wisconsin, Kansas dhe Kolorado. Temperaturat në Florida të Jugut ranë aq të ulëta, saqë iguanat ngrinë dhe ranë nga pemët.
Shteti perëndimor amerikan i Montana ishte më i godituri nga i ftohti, me temperatura që ranë në -45C.
Në Kanada, provinca qendrore e Ontarios dhe Quebec, në veri-lindje, morën peshën kryesore të stuhisë.
Konteja Prince Edward e Ontarios, përgjatë liqenit Ontario, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe iu desh të hiqnin mjetet e pastrimit të borës nga rrugët sepse rrezikonin të bllokoheshin, tha kryetari i bashkisë Steve Ferguson për CBC News.