Zaimi: Sulmet ndaj KFOR erdhën nga bandat! Veriu u la me qëllim nën sundimin e krimit

Analisti Arbër Zaimi, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës dhe sulmin ndaj ekipit të KFOR-it mbrëmjen e së dielës.

Arbër Zaimi tha se incidentet e së dielës kanë qenë sulme nga bandat dhe strukturat që po mbajnë peng popullatën në veri me barrikada dhe presion.

"Pengmarrje ndaj disa vetave, presion për të mos kundërshtuar barrikadat apo masat që këto struktura kriminale po bëjnë atje. S'do ketë gjasa që këto të kenë sukses."-tha Zaimi.

Zaimi deklaroi se Kosova i ka lënë kohë KFOR-it që të veprojë për heqjen e barrikadave ndërsa shtoi se KFOR-i gjithashtu nuk e ka të lehtë. Sakaq, Zaimi tha se kemi të bëjmë me kriminelë që janë në lista ndërkombëtare të kërkimit.

"Radoiçiç dhe Veselinoviç, që janë në listat e zeza të Amerikës. Kriminelë që kanë përvoja në grupe paramilitare të krijuara nga shërbimi sekret serb, në kohën e Millosheviçit. Këta paramilitarët, këta janë sot ata që vendosin barrikada e terrorisojnë popullsinë në veri të Kosovës."-tha Zaimi.