'Pronat pa kompensim'/ Bërxulla proteston para ambasadës amerikane
Banorët e fshatit Bërxullë të Tiranës kanë dalë sot në protestë përpara ambasadës amerikane në Tiranë, pasi nuk kanë arritur të marrin asnjë përgjigje për kompensimin e drejtë të pronave të tyre që iu cenohen nga projekti i rrugës Thumanë- Kashar, nga asnjë institucion i shtetit shqiptar.
Të lodhur, të fyer nga neglizhenca e shtetit, në krye të banorëve të revoltuar ishin zonja që garantuan me zë të fort se nëse nuk kanë përgjigje nga qeveria shqiptare, protesta e tyre do të ketë pasoja më të rënda, deri në vetëflijim.
“Kemi tre muaj që protestojmë, - tha një zonjë. - Kemi shkuar në bashki, në Ministrinë e Infrastrukturës, në kryeministri, në parlament dhe sot i jemi drejtuar ambasadës amerikane, zonjës Yuri Kim. Ishalla dëgjohet zëri ynë, se çdo institucion i shtetit tonë na ka hedhur në rrugë dhe nuk pyet a jemi ne qytetarë të kësaj qeverie. Kujt qeverie duhet t’i drejtohemi ne, sepse shteti po e bën një sy qorr dhe një vesh shurdh dhe për ne nuk po pyet fare.
Ku do të shkojmë ne banorët e fshatit Bërxullë?! Prandaj i bëjmë thirrje zonjës Yuri Kim të pyesë dhe të vërë dorën në zemër, t’i drejtohet kësja qeverie që po e nëpërkëmb popullin e saj. Duhet të flasin të gjithë, të marrin parasysh këto protesta mbi tre muaj. Në rast se nuk na përmend asnjë njeri, do të ketë edhe pasoja edhe më të rënda, deri në vetëflijim,se nuk do t’ia di njeri fare. Po ne nuk nuk do t’i ndalim protestat.”
Banorët mbanin në duar hartat e projektit të rrugës, të projektit të devijuar që u rrëmben shtëpitë e tyre dhe tokat bujqësore dhe ndërkohë thërrisnin:
“Mbrojmë pronat tona. Mbrojmë pronat tona.”
“Shteti na ka shitur tek inceneratori.”
“Do t’i mbrojmë me gjak!”