Pse Ukraina vendosi që të sulmojë me dron bazën ajrore ruse ‘Engels’?

Nga Jaroslav Lukiv, BBC

Një sulm me dron nga Ukraina mbi një bazë ajrore për bombarduesit në jug të Rusisë ka shkaktuar të paktën tre viktima, bëri të ditur Moska.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja ajrore arriti të qëllojë dronin pranë bazës ‘Engels’, por mbetjet e tij ranë mbi bazë, duke vrarë tre persona nga stafi teknik.

Më herët gjatë këtij muaji, Rusia akuzoi Ukrainën se ka kryer një sulm të ngjashëm mbi këtë bazë ajrore, e cila përdoret për të kryer sulme me raketa mbi Ukrainë. Baza ndodhet 500 kilometra në verilindje të kufirit me Ukrainën.

Ushtria ukrainase nuk ka komentur zyrtarisht për sulmet, por korrespondenti i BBC në Rusi, Steve Rosenberg thotë se incidenti i fundit është një tjetër turpërim për autoritetet ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se rrëzoi dronin që po fluturonte në një lartësi të ulët duke u gdhirë e hëna.

Guvernatori i Saratovit, Roman Busargin u shprehu ngushëllimet  tij familjarëve të viktimave, por tha se nuk ka asnjë rrezik për banorët e qytetit Engels.

Më herët, përdoruesit e medieve sociale postuan video ku dëgjoheshin shpërthimet dhe sirenat ajrore në bazën ushtarake.

Më 5 dhjetor u raportua për një tjetër sulm në këtë bazë dhe në bazën tjetër ajrore në Ryazan. Edhe atëherë u tha se tre persona u vranë nga mbetjet e dronit ukrainas. Dy avionë u dëmtuan lehtë, tha Moska.

Ushtria ukrainase nuk ka bërë asnjë koment për sulmet.

Baza ajrore ‘Engels’ është përdorur vazhdimisht nga Rusia për të kryer sulme të ndryshme me raketa mbi Ukrainë që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë më 24 shkurt.

Kremlini ka akuzuar Ukrainën se ka kryer sulme në territorin e saj edhe më parë, por sulmet e dhjetorit janë shumë më thellë në territorin rus se sulmet e mëparshme.