Koreja e Jugut qëllon për paralajmërim pasi dronë të Veriut kalojnë kufirin

Seul, Kore e Jugut - Koreja e Jugut thotë se ka qëlluar për paralajmërim,  pasi dronë të lëshuar nga Koreja së Veriut shkelën hapësirën e saj ajrore.

Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut thanë se disa dronë pa pilot të Koresë së Veriut kaluan kufirin ndërkorean dhe u zbuluan në territorin e Jugut të hënën.

Incidenti i së hënës erdhi tre ditë pasi Koreja e Jugut tha se Koreja e Veriut testoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në testet e saj të fundit të armëve.

Ushtria e Koresë së Jugut bëri paralajmërime zanore dhe të shtëna paralajmëruese përpara se të lëshonte avionë luftarakë dhe helikopterë sulmues për të rrëzuar dronët e Koresë së Veriut, tha Ministria e Mbrojtjes. Nuk dihet nëse dronët u rrëzuan.

Është hera e parë që dronët e Koresë së Veriut hyjnë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut që nga viti 2017, kur një dron i dyshuar i Koresë së Veriut u gjet i rrëzuar në Korenë e Jugut. Zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut thanë në atë kohë se droni fotografoi një sistem të mbrojtjes raketore amerikane në Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut e ka promovuar më parë programin e saj të dronëve dhe zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se Veriu ka rreth 300 drone. Në vitin 2014, disa dronë të dyshuar të Koresë së Veriut u gjetën në jug të kufirit. Ekspertët thanë se ato ishin të teknologjisë së ulët, por mund të konsideroheshin një kërcënim i mundshëm i sigurisë.

Droni i kapur në qershor të vitit 2017