Bum prodhimi ullinjsh dhe vaji mbetet stok, fermerët në Patos: Me 400 lekë litri është nën kosto
Vaji ullirit rrezikon të ketë fatin e fruta-perimeve, në mungesë të tregut mund të përfundojë në kanal. Fermerët e fshatit Kuqar në Patos, tregojnë se po prodhojnë sasi të mëdha vaji, por nuk po shesin për shkak se çmimi është nën kosto. Sipërmarrësit e fabrikave të vajit kërkojnë ndërhyrje të shtetit për situatën.
Fermerët e ullirit rrezikojnë të grumbullojnë qindra tonë vaj stok, pasi nuk ka treg për shitje. Fermerët e fshatit Kuqar në Bashkinë Patos, tregojnë se kanë sasi të mëdha ullinjsh, të cilin po e bëjnë vaj, por për shkak të mungesës së tregut, po e rezervojnë në banesa.
Ata thonë se vaji i ullirit po shitet me 400 lek litri, por ky çmim është nën kosto, për shkak të shtrenjtimit të krahut të punës. Nga ana tjetër, pronari i një fabrike vaji, Taulant Shpata, tregon se në të tilla kushte duhet të jetë shteti rregullator, për të krijuar mundësi që vaji i ullirit shqiptar, të ketë lehtësira në eksport.
Ky vit cilësohet si një ndër më produktivët për kulturën e ullirit. Por mbiprodhimi, po rrezikon të shkaktojë situatë të ngjashme me atë të fermerëve të kulturave të tjera bujqësore, që në mungesë të tregut, hedhin prodhimin në kanal.