'Ulu dhe puthi këmbët'/ Dhunoi dhe bullizoi dy vajza të mitura, arrestohet 22-vjeçari në Durrës
Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ka dhunuar dhe bullizuar 2 vajza 17-vjeçare. Video u bë publike në rrjetet sociale.
Në video shihej se i riu, fillimisht e godet vajzën dhe më pas e kërcënon se do të bëjë me të ç’të dojë nëse nuk i bindet atij. Më pas e detyron, të ulet në gjunjë dhe t’i puthë këmbët shoqes së saj, e cila me krenari filmon momentin.
‘Në lidhje me një video të publikuar ditën e djeshme, në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një shtetas që bullizonte dhe dhunonte një shtetase të mitur, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas transmetimit të pamjeve filmike në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e shtetasit që shfaqet në video.
Shërbimet e Policisë kanë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë së Durrësit, shtetasin A. D., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 6, Durrës. Në momentin e kapjes, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestuar një mjet prerës (thikë).
22-vjeçari ndodhet i shoqëruar dhe po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë kanë identifikuar edhe 2 shtetaset e mitura 17-vjeçare, të përfshira në këtë ngjarje, dhe në bashkëpunim me punonjësit e shërbimit social dhe me psikologun, te dyja shtetaset do të intervistohen me qëllim dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me të mitur dhe çdo paligjshmëri tjetër, si dhe siguron qytetarët se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë reagojnë në menyrë të menjëhershme, për të vënë përpara drejtësisë personat e përfshirë në paligjshmëri dhe në krim.’- njofton policia.