Qeveria e Kosovës ndau 1.2 mln € për Luginën, Arifi: Përfitues, shoqatat servile ndaj Albin Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se në mbledhjen e 115-të të qeverisë janë ndarë 1.2 milion euro për Luginën e Preshevës.

“Ndamë 1.2 milion euro për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Megjithatë, kjo ndarje po i duket e dyshimtë kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Arifi për Gazetën Sinjali tha se Kurti i ka ndarë mjetet për t’i “blerë” votuesit nga Lugina.

“Këto mjete nuk kanë qenë për këtë vit asgjë tjetër përveç se në drejtim të politikave klienlitiste të cilët Vetëvendosje së bashku me Këshillin Nacional Shqiptar i ka realizuar janë përdorur për të akumuluar vota në zgjedhjet e fundit dhe tani po bëhet pagesa.

Ai shton se nga 1 milion eurot, përfitojnë edhe nga Partia për Veprim Demokratik.

“Përfitues janë të gjithë nga radhët e PVD-së, nuk ka pas tjetër përfitues dhe janë para që shkojnë tek shoqatat të cilat janë servile ndaj kësaj partie dhe kështu në këtë formë po kthehen paratë në drejtim të VV-së sepse të njëjtit pastaj me siguri do ta votojnë VV-në edhe në të ardhmen pra këto mjete të cilët shqiptarët në Kosovë i kanë paguar si taksapagues për Luginën e Preshevës janë keqpërdorur skajshmërisht në drejtim të blerjes së votës dhe sot është bërë pagesa e tyre me nënshkrimin e Albin Kurtit“, u shpreh ai për Sinjalin.

Sakaq, kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi  ka thënë se me këtë buxhet janë paraparë 78 grante për projekte mbi 1 milion euro, 107 bursa vjetore prej 1.000 euro dhe 4010 nxënës libra falas deri 255 mijë euro.

Ai ka shkruar se pret që në vitet në vijim kësaj mbështetje t’i bashkohet edhe Shqipëria.