SYRI TV/ Invalidët e Elbasanit hyjnë në grevë urie, iu përgjysmohen ndihmat ekonomike

Heqja e ndihmës higjieno-sanitare dhe përgjysmimi i KEMP-it i kanë futur në grevë urie invalidët e Elbasanit këtë të shtunë. Para dhe tetraplegjikët gjenden në situatë tepër të vështirë nga ky vendim, prandaj edhe kërkojnë nga institucionet reagim dhe të mbajnë premtimet e bëra.

Nga SYRI TV

Para dhe tetraplegjikët e Elbasanit i janë rikthyer grevës së urisë, mëngjesin e kësaj të shtune. Arsyeja që i ka detyruar të marrin këtë vendim drastik është përgjysmimi i KEMP-it dhe heqja e ndihmës higjieno-sanitare. Ministria e Shëndetësisë premtoi t’i jepte zgjidhje problemit, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Invalidë, por edhe familjarë të tyre tregojnë vështirësitë e të qenit në këtë situatë dhe sesa të rëndësishme janë këto ndihma.

Vetëm një javë më parë invalidët hynë në një grevë urie që zgjati vetëm disa orë, pasi nga ministria u premtua zgjidhje. Tashmë, këta persona me aftësi të kufizuara, janë të vendosur të mos tërhiqen derisa të rikthehen ndihmat ekonomike, aq të nevojshme.