Mbi 248 milionë të infektuar/ Si po del jashtë kontrollit koronavirusi në Kinë
Nga Birthe Wenge, BILD
Që nga fundi i izolimit të ashpër, numri i të prekurve nga koronavirusi në vendin me 1.4 miliardë banorë ka shpërthyer.
Sipas vlerësimeve të brendshme, 248 milionë njerëz në Kinë janë infektuar me COVID në tri javët e para të dhjetorit. Kjo do të thotë 18 përqind e popullsisë- dhe rreth një e treta e popullsisë së përgjithshme të Europës!
Vetëm të martën e kësaj jave, 37 milionë njerëz ka të ngjarë të jenë infektuar. Kjo del nga shënimet e një takimi të Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, që u mbajt të mërkurën në Pekin. Të pranishmit në takim e kanë konfirmuar këtë lajm te agjencitë e lajmeve Bloomberg dhe Financial Times.
Sipas Financial Times, vlerësimet vijnë nga zëvendësdrejtori i Departamentit të Shëndetësisë, Sun Yang. Virusi vazhdon të përhapet me shpejtësi në vend. Sipas Yang, më shumë se gjysma e 81 milionë banorëve të provincës Shenzhuan të Kinës Jugperëndimore janë të infektuar. E njëjta gjë vlen edhe për 21 milionë banorët e kryeqytetit Pekin.
Statistikat zyrtare për tri javët e para të dhjetorit përmendin vetëm 62 mijë infeksione në mbarë vendin. Shifrat zyrtarë nuk kanë dhënë një pasqyrë të shtrirjes aktuale të valës së infeksionit për një kohë të gjatë.
Spitalet janë të mbipopulluara, krematoriumet nuk mund të djegin më kufoma aq shpejt sa duhet. Ekspertët mendojnë se do të ketë qindra-mijëra vdekje. Megjithatë, shënimet e Komisionit Shëndetësor nuk përmbajnë asnjë informacion për numrin e të vdekurve.
Vendi më i populluar në planet i dha fund politikës së ashpër të zero-COVID më 7 dhjetor, pas gati tre vitesh bllokime të ashpra, karantine të detyruar dhe testesh masive.
Arsyeja: Infeksionet me variantet e reja OMICRON nuk ishin më aq të rënda. Megjithatë, ekspertët supozojnë se për shkak të përhapjes eksplozive, masat e rrepta nuk mund të zbatoheshin më dhe në këtë vendim ka luajtur rol edhe ndikimi në ekonomi.
Meqenëse politika e zero-COVID është një gjë e së kaluarës, serioziteti i sëmundjes është nënvlerësuar gjithashtu. Ish-këshilltari dhe epidemiologu i qeverisë, Zhong Nanshan madje sugjeroi që COVID-19 tani të quhet thjesht ‘ftohje nga korona’.