'Gjarpri' i hipën avionit për në Paris - vrasësi serial francez i sapoliruar nga burgu në Nepal
Vrasësi serial francez Charles Sobhraj që lirua nga burgu në Nepal të premten, pasi kreu pjesën më të madhe të dënimit për vrasjen e turistëve amerikanë dhe kanadezë, i ka hipur avionit për të shkuar në Paris.
Një biletë iu ble me paratë e marra nga një mik i tij dhe Ambasada Franceze në Katmandu përgatiti dokumentet e nevojshme të udhëtimit duke e lejuar atë t’i hipte avionit të premten në mbrëmje.
"Gjarpri": Si u lirua vrasësi famëkeq nga burgu i Nepalit
Vrasësi serial Charles Sobhraj, shtetas francezj, 78 vjeç, me origjinë indiane dhe vietnameze, u lirua nga burgu në Nepal të premten pasi kreu pjesën më të madhe të dënimit të tij për vrasjet .
Sobhraj u dëbua nga burgu qendror i Katmandu në një karvan policor të ruajtur shumë për në Departamentin e Emigracionit, ku ai do të presë që të përgatiten dokumentet e tij të udhëtimit. Urdhri gjithashtu thoshte se ai duhej të largohej nga vendi brenda 15 ditëve.
Gjykata e Lartë e vendit kishte urdhëruar që Sobhraj, i dënuar me burgim të përjetshëm në Nepal, të lirohej për shkak të shëndetit të dobët, sjelljes së mirë dhe pasi kishte vuajtur tashmë pjesën më të madhe të dënimit.
Dënimet e përjetshme në Nepal arrijnë në 20 vjet pas hekurave, nga të cilat Sobhraj ka vuajtur 18.
Avokati i Sobhraj, Gopal Siëakoti Chitan u tha gazetarëve se kërkesa për dokumentet e udhëtimit duhet të bëhej nga departamenti i imigracionit të Nepalit, në ambasadën francez..
Dokumenti i gjykatës thoshte se ai kishte kryer tashmë më shumë se 75% të dënimit, ndërsa Sobhraj ka një sëmundje të zemrës që kërkon trajtim në Francë.
Francezi në të kaluarën ka pranuar se ka vrarë 10 turistë perëndimorë – një rrëfim që ai më vonë e tërhoqi – ndërsa besohet se ka vrarë të paktën 20 persona në Afganistan, Indi, Tajlandë, Turqi, Nepal, Iran dhe Hong Kong gjatë viteve 1970.
Sobhraj iu paraqitej si një tregtar gurësh të çmuar ose tregtar droge për t'u bërë përshtypje dhe të zinte miqësi me turistët, shpesh duke i ftuar ata në ahengje luksoze ose duke i bërë ata të bashkohen me shoqërinë e tij përpara se t'i mashtronte dhe, në disa raste, t'i vriste.
Sobhraj u mbajt për dy dekada në burgun Tihar të sigurisë maksimale të Nju Delhit me dyshimin për vjedhje, por u deportua pa akuza në Francë në vitin 1997. Ai u rishfaq në shtator 2003 në Katmandu.
Dënimi i tij i vitit 2004 në Nepal ishte hera e parë që u shpall fajtor në gjykatë.
Nofka e tij, Gjarpri, rrjedh nga reputacioni i tij si një mjeshtër i maskimit dhe i arratisjeje. Në vitin 2021, Netflix dhe BBC One publikuan një serial të vlerësuar nga kritikët me të njëjtin titull, që mbulonte disa nga krimet e Sobhraj.