Aksident me vdekje në Durrës: makina me tri të rinj përplas punëtorin e një hoteli

Një 50-vjeçar me iniciale B.B ka humbur jetën këtë mëngjes, ndërsa ishte duke pastruar para hotelit ku punonte tek Shkëmbi i Kavajës. Ai u përplas për vdekje nga makina e një 18-vjeçari që humbi kontrollin e mjetit dhe shkaktoi plagosjen edhe të dy vajzave pasagjere që kishte me vete.

Policia e Durrësit njoftoi në hollësi se “në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, shtetasi B.H, 18 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dhe për pasojë automjeti është përplasur me ambientet e jashtme të një hoteli.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën shtetasi B. B., rreth 50 vjeç, punonjës pastrimi dhe gjelbërimi, i cili në momentin e përplasjes, ishte duke pastruar.

Gjithashtu, nga përplasja janë dëmtuar shtetaset F. D., 20 vjeçe dhe L. P., 20 vjeçe, pasagjere në këtë automjet, të cilat ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi B. H. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”