Censusi i 2011/ Genc Pollo: 97% deklaruan gjuhën shqipe si gjuhë amtare
Ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo udhëhoqi procesin e censusit të vitit 2011 në Shqipëri.
Pollo zbuloi në Çim Peka Live, në Syri Tv, se 97% e atyre që plotësuan censusin deklaruan gjuhën shqipe si gjuhë amtare.
"Censusi i 2011, për të cilin isha ministër përgjegjës, argumenti im ishte se sado të jetë ndikimi, nuk do të ndryshojë thelbësisht. Ne kemi përvojën e pakicës maqedonase në Pustec. Kur shkonte me ndihma një delegacion nga Maqedonia, deklaroheshin maqedonas. Kur shkonte Bullgaria, kanë një rivalitet, deklaroheshin bullgarë. Këto gjëra ndodhin. Megjithatë, argumenti im që u konfirmua nga rezultatet e censusit ishte që, ai që deklaron gjuhën amtare shqiptare, do ta deklarojë. 97% e kanë deklaruar. 3% është një shifër e arsyeshme e pakicave në Shqipëri që konfirmohet edhe nga censuset e bëra gjatë komunizmit dhe para komunizmit. Sado të kemi frikën se do na blejnë shqiptarët, do na i kthejnë në serbë, grekë, turq, italianë, shifrat janë minimale, jo të tilla që të justifikojnë frikën. Në censusin amerikan është 0.3% shifra e atyre që janë deklaruar marsianë. Ka njerëz të papërgjegjshëm që e përdorin censusin, por mbetet një pakicë që deklarohet një pakicë e neglizhueshme që gjithmonë do thotë gjëra të çuditshme", tha Pollo.