Zgjedhja e Avokati të Popullit, Shella: Proces me të meta, nisi me vonesë! Kuvendi s'përmbushi detyrën...

Analisti Gerti Shella, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv mazhorancën e cila mban peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Shella tha se procesi nisi me vonesë përtej afatit kushtetues.

"Nuk u la një afat përmbyllës se kur do duhet të përfundonte koha që mblidhen firmat mbështetëse të deputetëve. Duke e lënë të papërcaktuar në kohë procesi dukej si i dizenjuar për të pësuar zvarritje."-tha Shella.

Sakaq, ai deklaroi se për Bledar Dervishajn që u përfol si një nga favoritët me mbështetje të spikatur, diçka i ka bërë përshtypje të thellë.

"Rasti i një kandidati që më bën përshtypje të thellë, Bledar Dervishaj. U përfol si një nga favoritët me mbështetje të spikatur me 32 firma, në datën 21 dhe 22 në faqen e Kuvendit u njoftua që kishin tërhequr mbështetjen për të 4 deputetë, 32 heqim 4, 28 deputetë akoma garantojnë mbështetjen.

Ndërkohë Komisioni i Ligjeve që administroi dje procesin e votimit në kuti, kur hapi procedurën thanë se për Dervishajn kishte mbështetje 27 deputetë, pra, cili është i pesti? S’ka kërkesë në faqe që kjo kandidaturë të mos hyjë në votim."-tha Shella.