‘Der Standard’: Moska dhe Beogradi po krijojnë tensione në Kosovë, 140 mijë rusë janë në Serbi
Gazeta e njohur austriake, ‘Der Standard’, shkruan sot se Rusia dhe Serbia po bashkëpunojnë për të krijuar tensione në veri të Kosovës.
Gazeta thekson se shteti serb ka sulmuar ashpër edhe ambasadorin gjerman në Kosovë, i cili kishte deklaruar se barrikadat e vendosura në veri, duhet të hiqen para Krishtlindjeve.
Ambasadori Joern Rohde tha se deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç se Serbia duhet të dërgojë 1 mijë trupa në Kosovë, janë absurde dhe të papranueshme.
Vuçiç u përgjigj duke thënë se Rohde njihet për qëndrimet e tij antiserbe. “Deklaratat e Rohde ishin një kërcënim për popullin serb. Gjermania kërkon dominim të plotë në Ballkan,” tha Vuçiç.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, tha për ‘Der Standard’ se barrikadat e paligjshme të ngritura nga serbët përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe duhet të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Por diplomatët perëndimorë druhen se situata e tensionuar në Kosovë është ndikuar nga Rusia.
“Është gjithashtu domethënës fakti që përshkallëzimi në veri të Kosovës po ndodh në sfondin e luftës së Kremlinit kundër Ukrainës. Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se Rusia dhe Serbia, që kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të koordinuar politikën e tyre të jashtme vetëm disa muaj më parë, në fakt po punojnë së bashku për këtë çështje.
Përveç kësaj, grupi mercenar Wagner, njoftoi së fundmi se ka ngritur një qendër në Beograd, ndërsa para disa ditësh, grupet radikale nacionaliste në Serbi njoftuan se do të merrnin Jarinjën në Kosovë. Grupet kriminale janë aktive edhe në veri të Ksovës.
Ambasadori rus në Serbi flet shpesh për çështjen e Kosovës. Përveç kësaj, sipas shifrave zyrtare, 140 mijë qytetarë rusë kanë udhëtuar në Serbi që nga 24 shkurti, pra nga fillimi i luftës kundër Ukrainës. Është e paqartë se sa prej këtyre njerëzve janë të afërt me regjimin në Rusi dhe nëse paratë janë transportuar edhe në Serbi.
Serbia është i vetmi vend në Europën Juglindore që ka ende një lidhje direkte me Rusinë. Për Kremlinin, tensionet në Kosovë mund të jenë një mundësi për të krijuar probleme shtesë për BE-në, NATO-n dhe SHBA-në në luftën kundër Ukrainës”.