'Akt kriminal i nostalgjikëve të regjimit'/ Agron Shehaj dënon sulmin ndaj memorialit të Mid'hat Frashërit
Deputeti i PD, Agron Shehaj ka dënuar vandalizmin e bustit të një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, Mid'hat Frashërit.
Në një reagim, Shehaj thotë se ky është një akt kriminal dhe i padenjë nga ata që i quan ekstremistë të nostalgjikëve të regjimit komunist.
Reagimi
Sulmi kundër memorialit të Mid’hat Frashërit, një prej etërve të Kombit Shqiptar, është akt kriminal dhe i padenjë. Ky akt i rëndë i ekstremistëve nostalgjikë të regjimit që i përkasin nje kohe tashmë të kaluar nuk ul aspak madhështinë e Mid’hat Frashërit dhe veprës së tij. Besnikëria ndaj parimeve, atdhetarizmi dhe besimi te vlerat perëndimore vazhdojnë të jenë aktuale dhe frymëzojnë vërtet çdo shqiptar që beson se pavarësisht veshtirësive, ne mund të ndërtojmë një Shqipëri evropiane.
Busti i Mit’hat Frashërit është vepër e skulptorit Agim Rada, e cila u vendos në Tiranë në tetor të vitit 2018.
Busti i Mithat Frashërit u vendos krah vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit, në një ceremoni të veçantë më 12 tetor të atij viti, ndërsa shkaktoi edhe shumë debate për nderimin e tij.
Mit’hat Frashëri ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar, një nga veprimtarët e Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qe ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”.