'Si s’kam takuar asnjë me mbiemrin Bejleri në Greqi': Flavio i servir një ‘kafe shqeto’, kreut të OMONIA

“Nuk ka më tani në Greqi, antishqiptarizëm. Besoj se ligji i luftës duhet të hiqet. Nuk ekziston, siç ju thashë dhe për mua është një gjë e mbaruar”- Kështu deklaroi sot  z. Fredi Bejleri, kreu i OMONIA, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, një ditë pas priti dhe shoqëroi në Himarë, Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Pavarësisht se gjatë intervistës  pati dhe debate dhe kundërshti nga moderatorët Flavio e Ola si dhe i ftuari tjetër, studiuesi Enver Bytyçi lidhur me tezat e kreut të OMONIA-s mbi minoritetin grek dhe Himarën,  z. Bejleri iu  dha hapësira e nevojshme për të shprehur qëndrimet e tij dhe në një moment, situata kaloi pak dhe në humor ndërsa intervista po i  afrohej fundit. Flavio, ashtu si dhe me të ftuarit e tjerë, preferoi të servirte “kafen shqeto”.

“Faleminderit që më dhatë të drejtën të flas, -  tha Bejleri, -  ishit mikpritës, po dua të them që tezat që ngrita janë ato që janë sot në të gjithë botën, është ajo që thotë e drejta e ndërkombëtare. Unë nuk dua as të krijoj minoritet, as nuk kam privilegjin t’i ndryshoj identitetin cilitdo që do të njihet shqiptar, grek apo tjetër.

Flavio: E kuptoj zoti Bejleri, por duhet të mirëkuptoni edhe qëndrimin tone, timin veçanërisht kur folët për toponime etj. E meqë jemi tek emrat, unë i kam bërë ca pushime në Greqi, po nuk kam takuar asnjë me mbiemrin Bejleri në Greqi!!!

Bejleri: E ka gjysma në Argos! Unë… Gjysma në Argos!

Flavio (qesh) – Ama dhe grekët kanë sens humori zoti Bejleri, pranojeni dhe ndonjë batutë ndonjëherë!

Bejleri: Edhe ata, edhe unë e kemi origjinën nga Progonati. Nga Progonati që sot është Labëri….

Ndiqeni më mirë të plotë intervistën dhe debatet me kreun e OMONIA-s, z. Fredi Bejleri, në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV. /ar.sh/SYRI.NET