Afganistani kthehet në Epokën e Gurit/ Viktimat më të mëdha janë gratë

Nga Shammi Haque, BILD

Afganistani është në kushte barbare: talebanët islamikë janë kthyer në pushtet në këtë vend për më shumë se një vit e gjysmë.

Ka fshikullime dhe ekzekutime publike, dhe gratë dhe vajzat ndalohen që të ndjekin shkollat dhe universitetet. I gjithë vendi vuan nga varfëria masive. Talebanët po i ndalojnë femrat që të studiojnë!

Për këtë nuk është indiferente as ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Ajo thotë për BILD: “Përjashtimi i vajzave dhe grave nga institucionet arsimore është një hap drejt Epokës së Gurit. Ato nuk lejohen të dalin në parqe, nuk duhet të dalin të pambuluara për të hapur derën, nuk lejohen të studiojnë- talebanët po u marrin gjithçka që përbën jetën për një grua”.

Baerbock e bën të qartë: “Ata po shkatërrojnë jo vetëm të ardhmen e vajzave dhe grave afgane, por edhe të ardhmen e vendit të tyre”.

Ziba Hamidi, këngëtarja e njohur 24-vjeçare nga Afganistani, i përshkruan ndjenjat e saj për BILD: “Më dhemb kaq shumë që gratë në vendin tim kanë humbur të drejtat e tyre elementare. Ky grup terrorist i ka shtypur gratë përgjatë historisë. Nga vrasja me gurë te ndalimi i grave për të shkuar në shkolla apo vende publike”.

Dhe më tej: “Si një grua afgane, më thyhet zemra kur gjinia ime është kaq e shtypur”.

Që kur talebanët kanë ardhur në pushtet, këngëtarja jeton në mërgim në Gjermani. Në Afganistan, ajo rrezikon dënimin me vdekje.

Pas tërheqjes së trupave perëndimore nga Afganistani, talebanët radikalë islamikë morën përsëri pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021. Në fillim ata pretenduan se ishin të moderuar, por regjimi po i shtrëngon politikat e tij dhe po i ndalon gjithnjë e më shumë gratë nga jeta publike.

-Vajzat mbi 12 vjeç nuk lejohen të ndjekin shkollën për gati një vit.

-Talebanët kanë kufizuar edhe lirinë e lëvizjes së grave: ato mund të udhëtojnë vetëm kur shoqërohen nga një i afërm mashkull.

-Menjëherë pas ekzekutimit publik të një burri, 18 burra dhe 9 gra u goditën me kamxhik nga 39 herë. Ata akuzoheshin për vjedhje, përdorim droge apo tradhti bashkëshortore.

-Aktualisht, talebanët njoftuan të martën se do të ndalojnë studentet femra që të ndjekin universitetet.

Tahmina Alizada, një artiste afgane, vëzhgon situatën në vendin e saj. Ajo ankohet në BILD: “Pyetjet duhet t’u drejtohen jo vetëm talebanëve, por edhe fuqive botërore: pse ata heshtin dhe takohen me këta terroristë? Ju i ftuat në Oslo vitin e kaluar dhe biseduat me ta pas dyerve të mbyllura. Sot gratë dhe vajzat tona nuk kanë të drejtën e jetës, arsimit, punës dhe strehimit. Kjo është e padurueshme”.

Alizada vazhdon të punojë si artiste në Gjermani dhe fokusohet në jetën e grave në Afganistan. Së fundmi ajo i ka shfaqur punimet e saj një ekspozitë me titull: “Çfarë kanë për të thënë gratë afgane”.

Përjashtimi i femrave nga universitetet në Afganistan ka shkaktuar kritika në mbarë botën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres shprehu shqetësimin e tij të thellë për urdhrin e të martës nga talebanët në pushtet. Përfaqësuesit e BE, SHBA dhe Gjermanisë në OKB e kritikuan gjithashtu vendimin.

Gazetarja afgane Marjan Sedat nuk ishte më në gjendje të punonte në Afganistan pasi gratë që nuk janë të mbuluara, nuk mund të shfaqen në televizion- kolegët e saj duhet të punojnë me mbulesë të plotë. Shumë prej tyre kanë humbur punën.

Ajo është e befasuar vetëm nga ata që habiten me politikat e talebanëve, thotë ajo për BILD. Talebanët mbrojnë aparteidin gjinor. Një hap tjetër drejt errësirës.