SHBA: Koreja e Veriut i shiti predha dhe raketa, mercenarëve rusë 'Wagner’

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka furnizuar me raketa dhe predha për fushëbetejë, grupin mercenar rus Wagner për t’i përdorur në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë tha se dërgesa shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se do të shpallte sanksione të mëtejshme ndaj grupit Wagner.

Koreja e Veriut dhe Wagner i kanë mohuar këto pretendime.

Luftëtarët e grupit mercenar janë shtuar, nga 1,000 në gati 20,000 në Ukrainë, tha qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Grupi ka qenë gjithashtu aktiv kohët e fundit në Siri dhe vendet afrikane dhe është akuzuar vazhdimisht për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

“Wagner po kërkon në mbarë botën furnizues armësh për të mbështetur operacionet e tij ushtarake në Ukrainë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

"Ne mund të konfirmojmë se Koreja e Veriut ka kryer një dërgesë fillestare të armëve për Wagner, i cili ka paguar për ato armë," tha ai.

Shtëpia e Bardhë thotë se grupi mercenar e mori dorëzimin e raketave dhe të predhave nga Koreja e Veriut.

Kirby tha se Wagner po shpenzon më shumë se 100 milionë dollarë çdo muaj në Ukrainë.

Ai shtoi se grupi tani rivalizon ushtrinë ruse në pushtet.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly tha se Britania ishte dakord me vlerësimin e Uashingtonit.

“Fakti që Presidenti (Vladimir) Putin po i drejtohet Koresë së Veriut për ndihmë është një shenjë e dëshpërimit dhe izolimit të Rusisë”, tha zoti Cleverly në një deklaratë.

Por lideri i Wagner, Yevgeny Prigozhin e mohoi pohimin, duke e quajtur atë "thashethem dhe spekulim", ndërsa Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut i quajti raportet "të pabaza".

Pozicioni i saj "mbetet i pandryshuar" dhe transaksioni i armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë "nuk ka ndodhur kurrë", tha një zëdhënës i Koresë së Veriut.