Bebeve të sapolindura në Argjentinë po u venë emrat e lojtarëve

Finalja epike që kurorëzoi Argjentinën si kampione bote, i ka bërë më shumë se euforikë argjentinasit.

Tifozëria e bardhekaltërve nuk ka zhgënjyer duke qenë e shumtë në numër në Katar dhe në mbështetjen virtuale që i ka dhënë skuadrës, ndërsa gëzimi dhe lumturia e një populli të tërë është demonstruar në të gjitha rrugët e Argjentinës.

Së fundmi, amerikano-jugorët kanë gjetur edhe një tjetër mënyrë nëpërmjet së cilës të shprehin gjithë entuziazmin: fëmijët e tyre.

Gjatë gjithë muajit të Botërorit e sidomos pas triumfit, shumë argjentinas janë inspiruar nga lojtarët e kombëtares për emrat e fëmijëve të tyre.

Me regjistrimin në gjendjen civile ka pasur një bum emrash të njëjtë me heronjtë bardhekaltër, ndër të cilët më i preferuari ka qenë padyshim ai i kapitenit Lionel Messi.

Lionelë “të rinj” i janë shtuar popullsisë argjentinase, ashtu si Angel, një nga heronjtë e finales (Angel Di Maria), duke mos harruar emra si Rodrigo e Nikolas, ndërkohë që më i veçanti ngelet ai, Enzo Julian, bashkimi i emrave të yjeve të rinj të kombëtares Fernandez e Alvarez.