Erl Murati: Hera e parë që grekët flasin për 'Vetëvendosje'. Himara s'është zonë minoritare

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis foli sot në jug të Shqipërisë për 'Vetëvendosje' të minoritetit grek.

Gazetari Erl Murati tha në Task Force, në Syri Tv, se është hera e parë që zyrtarët grekë përdorin termin Vetëndosje kur janë në vizitë zyrtare në vendin tonë. 

Murati tha se çështja Çame nuk përmendet më në diskutimet dylapëshe, ndërsa theksoi se Shqipëria dhe Greqia kanë mjaft çështje të hapura. 

Himara të cilën e vizitoi sot Mitsotakis, tha Erl Murati nuk është zonë minoritare. 

Ai këshilloi qeverinë shqiptare që të ngrejë në lartësinë e duhur në diskutime me Greqinë problemin e pronave të Çamëve.  

"Termi 'vetëvendosje' nuk mbaj mend në memorien time profesionale të jetë përdorur më herët nga zyrtarët grekë të paktën në Tiranë. Ne duhet ta kërkojmë këtë transparencë te zyrtarët tanë. Marrëdhëniet nuk janë të shkëlqyera se kemi mjaft çështje të hapura me Greqinë. Dhe sa kohë dy qeveritë pranojnë që kanë çështje të hapura, gjërat duhet thënë siç janë. Nëse ka diçka për të kërkuar transparencë, është pala shqiptare. Kryeministri grek mbron interesat e Greqisë dhe kryeministri shqiptar duhet të mbrojë interesat e Shqipërisë. Nuk ka qenë praktikë diplomatike që kryeministri i një shteti të vijë vetëm një ditë pas ministrit të jashtëm.

Në 7 muajt e fundit dy ministrat e jashtëm janë takuar të paktën tre herë mes tyre. Flet për një aktivitet të ngjeshur diplomatik. Flet për probleme që duhen diskutuar dhe çështje të hapura. Deri dy vjet më parë ky aktivitet diplomatik Tiranë-Athinë ishte i ngrirë. Kemi një aktivitet të ngjeshur nga pala greke në drejtim të Tiranës zyrtare. Për çështjen e detit, bibla dhe kurani është vendimi i prillit 2010 të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet në mënyrë eksplicite se nuk ka probleme të kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe të vetmet çështje që mund të diskutohen në nivel dypalësh janë çështjet e zonave ekskluzive ekonomike dhe problemet e shelfit territorial. Me një lloj hileje edhe Xhaçka por edhe paraardhësit e saj përdorin termin ndarjen e zonave detare, pa e përcaktuar nëse kemi të bëjmë me kufirin detar, shelfin territorial apo zonat ekskluzive ekonomike. 

Himara nuk është zonë minoritare. 

Problematikat duhen diskutuar me reciprocitet. Nëse pala shqiptare e ka në historinë e diplomacisë së saj që problemi i shqiptarëve në Greqi, i pronave të çamëve janë një problem real mes të dy vendeve, atëherë ajo duhet të ngrihet në tryezë sa herë ka bisedime dypalëshe. E ngriti para dy muajsh Xhaçka dhe hasi në një ton kërcënues nga Dendias", tha Erl Murati.