Egnatia rikthehet tek fitorja, Erzeni dhe Bylis ndajnë nga një pikë
Pas disfatës së javës të kaluar me Bylisin, Egnatia rikthehet te suksesi teksa triumfoi në transfertë ndaj Kastriotit me rezultatin 2-3. Ishte një sfidë emocionuese teksa miqtë treguan “muskujt” ndaj krutanëve pasi i mposhtën edhe duke luajtur prej minutës së 43-të në disavantazh numerik me Agbekpornu që u ndëshkua me dy të verdhë.
Deri në atë minutë, loja ishte në barazim 1-1 teksa rrogozhinasit kaluan të parët në avantazh me anë të Laurentino në minutën e 32-të, ndërsa barazoi për Kastriotin, Santiago Selmani në të 37-tën. Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga tekniku Ardian Mema kaloi në avantazh me Edon Hasanin, por Egnatia nuk e kishtë thënë fjalën e fundit dhe në harkun e pesë minutave (’51, ’56), përmbysi sfidën falë golave të Fernandos dhe Delarge.
Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro u treguan të zotët për të ruajtur fitoren dhe morën një tjetër trepikësh të rëndësishëm duke u ngjitur në vendin e tretë në kuotën e 24 pikëve. Nga ana tjetër, Kastrioti, mbetet në vendin e shtatë me 18 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Erzeni dhe Bylisi u ndanë në një barazim 1-1. Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh teksa ai që zhbllokoi shifrat ishte Muçollari në minutën e 33-të të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë, miqtë provuan të rezistonin dhe të menaxhonin avantazhin, por shijakasit rivendosën ekuilibrat në minutën e 83-të falë golit të Sadikit.
Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe skuadrat u kënaqen me një pikë, teksa pas kësaj sfide, Erzeni mban vendin e katërt me 22 pikë, ndërsa Bylis renditet në vendin e tetë me 16 pikë.