Arrestohet ish-kryebashkiaku i Himarës, Bollano, për aksidentin me vdekje të 17-vjeçarit

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, është arrestuar nga Policia e Vlorës për aksidentin e rëndë që përfundoi me vdekjen e të riut 17-vjeçar Elio Hamiti në aksin rrugor Orikum - Llogara. Ai akuzohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.

Policia e Vlorës tha "specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 66 vjeç, banues në Himarë. Ky shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor Orikum-Llogara, në afërsi të fushës së sportit, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, banues në Dukat, i cili lëvizte në këmbë.

Si pasojë e dëmtimeve të marra 17-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Tiranë. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen."