E paprecedentë/ Nikolla privatizon Kuvendin, u heq fjalën deputetëve të PD
Ka nisur me debate seanca e sotme e Kuvendit, pasi drejtuesja Lindita Nikolla ka refuzuar propozimet e deputetëve të Partisë Demokratike.
Në mënyrë të paprecedentë, ajo i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka se nuk përfaqëson grupin parlamentar të PD, pasi rezulton i përjashtuar.
Të gjendur përballë injorimit dhe falsifikimit të dokumenteve sa i takon përbërjes së grupit parlamentar demokrat, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi janë ngritur nga vendi dhe kanë shkuar në foltore duke e bllokuar atë.
Edhe pas këtij momenti, Lindita Nikolla nuk është tërhequr. Ajo ka vijuar duke iu drejtuar deputetëve të Partisë Demokratike se nuk përfaqësojnë grupin parlamentar demokrat.
***
Kjo është seanca e fundit parlamentare e vitit 2022, një seancë që pritet të zgjasë dy ditë, me diskutime e debate të shumta.
Në rend të ditës janë disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, ndër të cilët veçojmë projektvendimin për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese, atë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s, apo ndryshimet në Kodin Rrugor.
Po ashtu, në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ai për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huas, me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafa e Plloçë, ai për aderimin në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.
Kuvendi pritet të miratojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”.
Në rendin e ditës së seancës së sotme është dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.
Gjithashtu, po sot Kuvendi pritet të zgjedhë dhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuerse si dhe Avokatin e Popullit.