SYRI TV/ Gjendja e shërbimit diplomatik, reagon KASH: Situata është e paprecedentë

Këshilli i Ambasadoreve shqiptarë kritikoi gjendjen, sipas tij të papranueshme, të shërbimit diplomatik shqiptar. Në një deklaratë për mediet, Këshilli i Ambasadorëve thekson se tejkalimi i mandateve, rekrutimet jashtë sistemit dhe ndikimi politik e bën të paprecedentë, situatën e diplomacisë. Këshilli i bëri thirrje  Ministrisë së Jashtme  dhe Presidentit të Republikës të reagojnë ndaj kësaj sjelljeje të papërgjegjshme.

Nga SYRI TV

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë reagoi këtë të mërkurë për gjendjen e shërbimit diplomatik në vendin tonë që sipas tij është e papranueshme.  Këshilli i Ambasadorëve vlerëson se diplomacia shqiptare po përballet me një sërë parregullsish që nga tejkalimi i mandateve e deri tek ndikimet politike.

 “Ajo që po ndodh prej disa kohësh me diplomacinë shqiptare, qoftë në raport me tejkalimin e skajshëm të mandatit, qoftë me rekrutimet jashtë sistemit, qoftë me përfaqësimin e interesave partiake më shumë se sa shtetërore nga diplomatët shqiptarë është e papranueshme dhe e dënueshme”

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë mbi situatën e paprecedentë të krijuar në shërbimin diplomatik shqiptar, duke dëmtuar rëndë imazhin e vendit dhe shërbimin ndaj interesave shtetërore të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo sjellje e pajustikuar e qeverisë shqiptare cenon figurën e diplomatëve shqiptarë, pasi jo vetëm shkel ligjin dhe praktikën ndërkombëtare diplomatike, por edhe i vendos ata në pozita të pamerituara denigruese në raport me kolegët e tyre dhe me qendrat vendimmarrëse të diplomacisë.:

KASH i bën thirrje Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Qeverisë, Komisionit të Jashtëm të Kuvendi si dhe Presidentit të Republikës që të reflektojnë sa më parë ndaj kësaj sjelljeje të papërgjegjshme ndaj shërbimit diplomatik shqiptar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë solidarizohet me të gjithë diplomatët e shkëlqyer të karrierës, përfshirë ata që janë diskriminuar dhe cenuar në karrierë në mënyrë të pamerituar, edhe pse i kanë shërbyer ndër vite me integritet dhe përkushtim vendit të tyre.