SYRI TV/ Vettingu konfirmon kunatën e Mirel Mërtirit, KPK nuk e konsideroi 'kontakt të papërshtatshëm'

Vetingu konfirmon në detyrë kunatën e Mirel Mërtirit. Edhe pse ky i fundit është shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve, KPK vendosi që prokuroja e Tiranës Mariola Mërtiri të vijojë punën. Por pavarësisht se ajo ka kontakte papërshtatshme, kriter që në proceset e tjera ka çuar në shkarkimin nga detyra, në këtë rast, trupa gjykuese duket se është treguar tolerante më të afërmen e Mirel Mërtirit, duke e kaluar në veting

SYRI TV

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokuroren e Tiranës, Mariola Mërtiri, megjithëse u provua se ajo kishte kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash.

Prokurorja Mërtiri është kunata e Mirel Mërtirit, i konsideruar si një prej personazheve kryesorë në aferën gjigante të inceneratorëve.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, njoftoi pak ditë më parë se dërgoi për gjykim Mirel Mërtirin, për përfshirje direkt në korrupsion gjatë procedurave për djegësin e Elbasanit. 

Nga ana tjetër, prokurorja Mërtiri konfirmoi që ka një marrëdhënie të gjatë familjare me kunatin e saj Mirel Mërtiri dhe bashkëshorten e tij, Stela Gugalljen, e shpallur gjithashtu në kërkim për aferën e inceneratorëve, në periudhën që përfshin edhe kohën kur ata kanë kryer veprat penale.

Prokurorja e Tiranës deklaroi se ka kryer udhëtime jashtë vendit me kunatin e bashkëshorten e tij si edhe ka marrë 1 milion lekë të reja hua nga kunati i saj, Mirel Mërtiri.

Këto detaje ishin të mjaftueshme që prokurorja e Tiranës, Mariola Mërtiri, të konsiderohej me kontakte të papërshtatshme dhe penalizuese për vijimin e detyrës.

Por, Komisioni i Vetingut, i cili ka shkarkuar nga detyra gjyqtarë e prokurorë për faktin se familjarë të tyre të largët janë kapur me ndonjë dozë hashash, tashmë është treguar shumë tolerante me Mariola Mërtirin.

Trupa e vetingut vendosi me shumicë votash që nuk ka shkarkim për familjaren e Mirel Mërtirit.