Berisha: Duhet të informojmë SHBA për mashtrimet që guvernatorja Kim ka dërguar për xhelatin Dvorani
Kryetari demokrat, Sali Berisha, u ndal gjatë në mbledhjen e grupit parlamentar te votimi për emrin e Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Duke e quajtur atë një simbol të korrupsionit, Berisha tha se Dvorani u shpall kampion i antikorrupsionit për shkak të mashtrimeve që kanë dërguar nga Tirana ambasadorja amerikane, Yuri Kim, por edhe të tjerët.
“Ardian Dvorani ka fshehur 80 mijë euro. E ka kapur DSIK. Kur ka dërguar fletën, nuk ka dërguar llogarinë rrjedhëse, por vetëm finale. Askujt tjetër nuk i është propozuar kjo. Nuk e çuan për ankimim fare në shkallën e dytë.
Por cili ishte Dvorani, kryetari i KED” Ai u soll aty si një bandit me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këtu e kapi në flagrancë Komisioni i Venecias. Ai krijoi një krizë të madhe brenda vendit, se u përpoq që të merrte kandidaturën që i takonte presidentit të vendit.
Në një akt të paimagjinueshëm, ai shpallet kampion botëror i luftës kundër korrupsionit. Nuk ka fyerje më të madhe se kjo.
Ne si deputetë duhet të reagojmë. Ne duhet të informojmë të gjitha institucionet e SHBA për këtë akt. Duhet t’i shkruajmë Departamentit të Shtetit, kryetarit të Kongresit, presidentit Biden, nuk mund të fyhen shqiptarët në këtë mënyrë. Nuk mund të shpallet kampion korrupsioni ky.
Po çfarë është Dvorani? Një xhelat, prokurori ui atyre që rrëzuan shtatoren e Stalinit në Shkodër dhe ka kërkuar gjer në 15 vite.
Ç’e ka Yuri Kim këtë pasion për xhelatët e komunizmit? Edhe për këtë duhet të informojmë qeverinë amerikane dhe institucionet e tjera. Me ligj, nuk mund të ishte anëtar gjykate.
Kjo nuk ndodh në një vend të botës, kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe kjo është vepër dizinformatash që guvernatorja i ka dërguar qeverisë së vet për këtë person,” tha Berisha.