Berisha: Rama ka urdhëruar shembjen e përmendores për kujtimin e gjenocidit serb në Lumë
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha përpara deputetëve sot se kryeministri Edi Rama po mban peng rezolutën e opozitës për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Por ai shtoi se kryeministri Rama ka urdhëruar edhe shembjen e përmendores në kujtim të gjenocidit serb në Lumë.
“Prej 4 muajsh, deputetët tanë kanë depozituar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Në kundërshtim me Kushtetutën, Edi Rama urdhëron injorimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të deputetit. Rezoluta për dënimin e gjenocidit serb, nuk paraqitet në seancë. Ne duhet të jemi aty për të mbrojtur në mënyrën më të vendosur, të drejtat tona,” tha Berisha.
“Jo vetëm nuk paraqitet rezoluta, por me urdhër të Edi Ramës, shembet në qendër të Kukësit, përmendorja e ngritur në kujtim të viktimave të gjenocidit serb në Lumë. Shqiptarët duhet ta dinë se gjenocidi serb, universalisht i dënuar, është gjenocidi që ata kanë kryer në Lumë. E gjitha ishte hakmarrje se kryengritësit lumjanë, hasjanë dhe tropojanë, bllokuan hordhitë serbe që kishin për drejtim Durrësin dhe pushtimin e gjerë të Shqipërisë para shpalljes së pavarësisë.
Gjenocidi i Lumës, në dokumentet e kohës, në dokumentin bazë është dënuar si krim gjenocid. Vetëm në fshatin Përbreg, janë therur dhe djegur të gjallë, 430 burra, gra dhe fëmijë.
Edi Rama urdhëron Safetin që nuk ka asgjë shqiptare, që është njëlloj si ky, të shkelmojë mbi shpirtrat e tyre dhe të rrafshojë përmendoren e ngritur në nderim të më së paku 2200 qytetarëve shqiptarë, në një barbari të pashembullt në luftë, me një ndëshkim të pashembullt, dhe këtu Edi Rama heq përmendoren.
Disa herë e kam ngritur çështjen e gjenocidit serb në Lumë, dhe ky ka urdhëruar këto net, rrafshimin e kësaj përmendoreje. Ky është një antishqiptar, që urren shqiptarët. Ky ka gjak tradhtari, nuk ka gjak shqiptari. Ky as komb, as atdhe. Çfarë u thotë ky foshnjave që u dogjën në prani të nënave të tyre në Përbreg? A e lexon ai apo jo atë histori që ka tronditur botën?
Ky prish përmendoren me kërkesë të Vuçiçit. Nuk ka akt më të turpshëm, më antishqiptar se ky. Pse u vranë ata? Vetëm pse luftuan. Ata bllokuan hordhitë serbe që donin të pushtonin Shqipërinë që të mos shpalljen pavarësia,” tha Berisha.