Shembja e pallatit/ Berisha: Dramë çnjerëzore në prag të festave, banorët u trajtuan si kavie
Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie, se shembja e pallatit në rrugën ‘Myslym Keta’ ishte një dramë çnjerëzore.
“Siç e shihni, çdo ditë këtu, kryhen akte antikushtetuese, antiligjore, nga një qeveri që në raport me ligjin, rregullin dhe rendin, sillet si një bandë dhe jo si një përfaqësi e qytetarëve shqiptarë.
Në çdo veprim, spikat qartësisht vullneti i tyre i sëmurë për të dhunuar Kushtetutën, ligjin, për të dhunuar qytetarët dhe të drejtat e tyre.
Ajo që u zhvillua në rrugën Myslym Keta, ishte një dramë e atyre banorëve, e krijuar nga tërmeti, por e rënduar në mënyrë çnjerëzore nga qeveritarët vendorë dhe qendrore. Pasi pabesisht zgjodhën pragun e festave për të përdorur forcën, për të përdorur buldozerë, për të përdorur nxjerrjen me forcë, ndërkohë që ata banorë kishin mirëkuptim për prishjen e pallatit, por kërkonin siguri, që çdo njeri normal kërkon për banesën e tij. Sa do marrim, si do e marrim dhe kur do e marrim.
U trajtuan sikur të ishin kavie dhe jo qytetarë të një vendi, nga një kryetar bashkie që nga mëngjesi deri në darkë, mendon se si të vjedhë taksat, tarifat, fondet e qytetarëve të Tiranës,” tha Berisha.