SYRI TV/ Berisha, intervistë ekskluzive për Euroactiv: Turqia ‘ndërhyri’ në marrëveshjen e detit me Greqinë

Në një intervistë ekskluzive për Euroactiv, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli për marrëveshjen e papërfunduar të detit me Greqinë, tensionet në rajon dhe ndërhyrjen e Turqisë në Shqipëri. Berisha i konsideroi dy vendet si mike të Shqipërisë, por theksoi se nuk do ta pranojë doktrinën e neo-otomanizmit. Ndërsa sa i takon tensioneve në Veri të Kosovës, sipas Berishës e vetmja rrugë është dialogu. Kryedemokrati komentoi edhe betejën ligjore sa i takon vendimit të DASH për shpalljen non-grata pa prova.

Nga SYRI TV

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një intervistë ekskluzive për EuroActiv ka komentuar tensionet në rajon dhe marrëveshjen ende të papërfunduar të detit me  Greqinë si dhe ndërhyrjet e Ankarasë në Shqipëri. Duke i konsideruar partnerë dhe mikë të dy vendet, Berisha thotë se Greqia ka bërë shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe gjithashtu vlerëson Turqinë, por shtoi se nuk e pranon doktrinën e neo-otomanizmit.

 “Greqia e nënshkroi duke pasur për vete gjashtë milje detare ujëra territoriale.Edi Rama ishte ai që paditi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese. Turqia nuk u interesua kurrë për atë marrëveshje dhe bëri një ndërhyrje të fortë. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një marrëveshje shumë të mirë. Pasi Gjykata Kushtetuese kundërshtoi, i thashë qeverisë [greke] se jam i detyruar të respektoj vendimin. Por unë thashë të shkojmë në Hagë. Në fillim kanë qenë në mëdyshje, por më vonë pranuan, kur e panë se isha shumë transparent. Partnerët tanë, Greqia dhe Turqia kanë qenë shumë ndihmuese për Shqipërinë. Turqia është pa dyshim një mik, një partner, por me një doktrinë të neo-otomanizmit që unë nuk do ta pranoj.

Ndërsa sa i takon tensioneve të ndezura mes Serbisë dhe Kosovës, Berisha e ka të qartë se dialogu është e vetmja rrugë, por Beogradi dhe presidenti i tij Aleksandër Vuçiç duhet të frenohen.

“Ata fajësojnë më së shumti Kosovën, por nuk po e zgjidhin problemin e trupave (serbe) të grumbulluara rreth kufirit. Unë nuk mendoj se ai do të bëjë aventurën për të ndërhyrë pasi është një territor i NATO-s, NATO do ta mbrojë atë, por ai e ka bërë të gjithë këtë i mbështetur nga Putini. Ai po sillet si një Putin i vogël në Ballkan. Me një grup banditësh në veri të Kosovës, ai shqetësoi të gjithë Evropën për shkak të interesit të tij për influencat e Rusisë. Më besoni, Serbia është thelbësore për agresionin rus”,

Në intervistën për Euroactiv, Berisha komentoi edhe shpalljen non-grata në SHBA, duke theksuar se i qëndron vendimit të tij për të sfiduar Departamentin e Shtetit për sanksionet e vendosura ndaj tij, nën akuzën e korrupsionit. Ai shtoi se non grata përbëhet nga akuza të paprovuara, të organizuara nga miliarderi George Soros dhe lobistët e qeverisë Rama.

“Nëse kam bërë një gjë gjatë gjithë jetës sime, ajo ishte lufta kundër kriminalitetit.Kur u bëra kryeministër, Shqipëria ishte e dominuar nga tirania. Dhe ia dola, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Nënshkrimi i MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në) ose liberalizimi i vizave ishte për shkak të një lufte të fortë kundër krimit të organizuar. Kur dola nga zyra, vazhdova betejën time.”

Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, Berisha shprehet se PD po punon fort për të zgjeruar lidhjet jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai theksoi se kthimi i të arsimuarve të larguar, në Shqipëri, është projekt kyç i PD-së.