SYRI TV/ Xhaçka - Dendias, kompromis për 'detin', ministri i Jashtëm grek: Çështjen ta zgjidhë Haga
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, takoi homologen shqiptare Olta Xhaçka, me të cilën arriti kompromisin që çështjen e delimitimit të detit, ta zgjidhë Gjykata Ndërkombëtare. Sipas Dendias kjo do të shënojë edhe një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa theksoi se vendimi për detin do t’i japë zgjidhje edhe ligjit të luftës.
Nga SYRI TV
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias erdhi në Shqipëri me synime të qarta, për të kërkuar kompromis sa i takon delitimitimit të detit. Në vizitën që zhvilloi me Ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka,, me të cilën mbajti edhe një deklaratë të përbashkët për shtyp, Dendias theksoi se vendi i tij kërkon të përfundojë marrëveshjen me Shqipërinë për kalimin e çështjes së detit në Gjykatën e Hagës. Dendias deklaroi se vendimi i Hagës për detin do t’i jepte zgjidhje edhe ligjit të luftës, duke anashkaluar aktin e shfuqizimit nga parlamenti grek.
Arritjen e kompromisit që për çështjen e detit të vendosë Haga, e konfirmoi edhe ministrja shqiptare Olta Xhaçka.
Gjatë fjalës, Dendias theksoi se me ministren Xhaçka ka rënë në kompromis edhe për një plan mbrojtës ndaj lumit të Vjosës.
Dy homologët diskutuan edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, minoritetin, shqiptarët në Greqi dhe anasjelltas si edhe për marrëveshjen për pensionet. Në fokus, dy ministrat kishin edhe situatën e tensionuar në veri të Kosovës, për të cilën Dendias u shpreh se zgjidhet përmes dialogut. Deklaratat e konpromisit për çështjen e detit vijnë para vizitës së kryeministrit grek Mitsotakis të enjten e 22 dhjetorit në Himarë ku do të takojë Kryeministrin Rama.