Zelensky në SHBA/ A do e ndryshojnë luftën raketat amerikane Patriot?
Ukraina do të marrë raketat e avancuara amerikane Patriot. Lajmi është konfirmuar nga SHBA përpara vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Këto raketa janë jashtëzakonisht efektive dhe shumë të shtrenjta. Një prej tyre kushton 3 milionë dollarë. Kjo gjë do alarmojë Moskën, pasi raketat Patriot janë një aset kritik për të mbrojtur Ukrainën kundër sulmeve ruse. Rrezja e kësaj rakete varion nga 40 deri në 160 km
Nga Constantin Weeg, BILD
Që nga fillimi i pushtimit rus, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është larguar nga vendi i tij. Këtë të mërkurë ai po udhëton drejt Uashingtonit.
Fillimisht, disa media amerikane raportuan se Zelensky do udhëtonte drejt SHBA. Qeveria amerikane e ka konfirmuar tani këtë gjë. Pritet një takim me presidentin Joe Biden. Në qendër do jetë ndihma e re për Ukrainën.
Ka raportime se është planifikuar edhe një vizitë në Kongres. Gjithashtu qarkullojnë informacione se policia e Kapitolit amerikan ka shtuar sigurinë për vizitën.
Zelensky nuk është larguar nga Ukraina që nga pushtimi rus më 24 shkurt. Për konferencat me politikanë të huaj, ai është lidhur vetë në mënyrë dixhitale. Ndryshe nga diktatori i Kremlinit, Vladimir Putin, Zelensky e ka vizituar frontin disa herë.
Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se do të furnizojë Ukrainën me sistemin anti-ajror Patriot për t’u mbrojtur kundër sulmeve ajrore surse.
Këtë gjë do e shpallë zyrtarisht Biden gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodomyr Zelensky.
Sistemi i armëve synon të kufizojë terrorin e raketave ruse në infrastrukturën ukrainase dhe ndoshta mund t’i japë fund plotësisht.
SHBA ka qenë mbështetësi më i rëndësishëm i Ukrainës që nga fillimi i luftës dhe ka furnizuar me armë të shumta vendin e goditur nga lufta. Në maj, Kongresi Amerikan miratoi një paketë ndihme prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën. Projektbuxheti për vitin 2023 parashikon një ndihmë të mëtejshme prej gati 45 miliardë dollarë për vendin.
Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, u kërkoi deputetëve në një letër, të jenë të pranishëm personalisht në seancën e të mërkurës mbrëma. “Ju lutemi të jeni të pranishëm të mërkurën në mbrëmje, kur ne do jemi veçanërisht të fokusuar te demokracia”, thuhet në njoftim.