Zbulohet kontrata e Giuseppe Caffiaglione me inceneratorin e Fierit, Shehaj: Mori 300 mijë € për konsulencë
SPAK ka shpallur në kërkim Giuseppe Caffiaglione i cili rezulton pronar me 30% te inceneratori i Tiranës.
Qeveria dhe bashkitë e qarkut Tiranë dhe Durrës i paguajnë çdo muaj 1 mln euro inceneratorit të Tiranës. Nga këto 330 mijë euro shkojnë në llogarinë private të Caffiaglione.
Në Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, ish-drejtorja e Tatimeve, Briseida Shehaj zbuloi ekskluzivisht kontratën e Giuseppe Caffiaglione me inceneratorin e Fierit, për konsulencë.
Kontrata është nënshkruar në korrik 2018.
Shehaj tha se Giuseppe Caffiaglione në Itali ka bërë punë të thjeshtë, ndërsa në Shqipëri është paguar nga inceneratori i Fierit 300 mijë euro për konsulencë.
Sipas saj, Caffiaglione është sot 20% aksioner i kompanisë mëmë të inceneratorëve.
Brisida Shehaj: Kjo është një kontratë me firmë dhe vulë. Në faqen e parë është një kontratë konsulance midis kompanisë së inceneratorit të Fierit me Giuseppe Caffiaglione e bërë në korrik 2018 që ky individi, dikur ka bërë një punë shumë të thjeshtë në Itali, është paguar nga inceneratori i Fierit 300 mijë euro për konsulencë. Ky që ishte administratori, është sot 20% aksioneri i kompanisë mëmë. 3 muaj para kësaj kontrate ky zotëri ka blerë 100% të aksioneve në Holandë. Rrogtari i AlbTech në Elbasan, konsulenti që merr 300 mijë euro nga inceneratori i Fierit, lidh dhe blen kompaninë mëmë, s'po e them shifrën, dhe më pas i japin edhe 300 mijë euro konntratë konsulence. Kam lexuar dosjen e Fierit dhe është një maskaradë. Mban përgjegjësi Etleva Kondi, por tre muaj përpara që ta dinte Kondi që do aplikonin këta, kush ia dha urdhrin asaj të kontantonte me ata? Ku e dinte Etleva Kondi që do të ishte personi i caktuar në komisionin e vlerësimit të asaj oferte. Nuk ka hetim për Arben Ahmetajn dhe kjo është skandaloze sepse duhet të ishte në burg qëkur bëri aksidentin. Është një hetim anadollak. Nëse opozita do vazhdojë të flejë dhe të presë, unë jam nga ato njerëz që nuk dua të shkoj te Kryeministria, por të gdhihem te SPAK-u.