Amnistia fiskale, Soko: Paraja e pisët s'ka pasur nevojë për ligj në Shqipëri! Na kanoset një tjetër rrezik...

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, foli në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në Syri Tv për nismën e amnistisë fiskale. Soko tha se kjo nismë e qeverisë nuk bëhet për ata që punojnë në të zezë në vendet e BE-së.

Sipas tij, nëse amnistohen të gjithë ata që kanë bërë evazion, duhen kthyer edhe gjobat që i janë vendosur disa të tjerëve, pasi Gjykata e Strasburgut mund të na dënojë. Sakaq, Soko tha se asnjë ligj se ka penguar paranë e pisët që të qarkullojë në Shqipëri.

“Ka një problem të madh. Po flasim për vepra që duhet amnistuar, do amnistosh veprën e evazionit. Rrezik i madh mbi buxhetin e shtetit, nëse amniston të gjithë ata që kanë bërë evazion, po ata që kanë paguar gjoba çfarë do bësh?

Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Nëse diskriminon një pjesë, Strasburgu do na detyrojë si shtet të kthejmë lekët e gjobave për ata që janë ndëshkuar, imagjino sa do jetë barra për këtë fakt.

Kam një besim timin absolut, paraja e pisët e drogës s’ka pasur nevojë për ligj, jemi dëshmitarë okularë që ka hyrë në punë këtu.”-tha Soko.