Amnistia fiskale, ekspertja: Dëmton ekonominë, pasoja afatgjata
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv nismën e qeverisë për amnistinë fiskale. Ekspertja tha se kjo nismë është kundërshtuar nga dhomat e tregtisë dhe nga ekspertët. Ajo theksoi se asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka shprehur dakordësinë për mënyrën si do zhvillohet kjo amnisti.
“Deri tani s'kemi një institucion ndërkombëtar që të ketë shprehur dakordësinë për mënyrën si do zhvillohet kjo amnisti dhe për mënyrën që është e gatshme qeveria që ta zhvillojë. Nëse do flasim për kostot e ekonomisë, nëse kjo që është parashikuar do miratohet dhe do zbatohet në kushtet që është aktualisht, do ulet besimi si ndaj ekonomisë, ndaj mënyrës së të bërit biznes dhe njëkohësisht do ulet besimi për të investuar në të ardhmen.”-tha ekspertja e ekonomisë.
Sakaq, ekspertja deklaroi se kostot ekonomike mund të mos ndjehen në muajt e parë, por do ketë ndikim ndër vite. Sipas ekspertes së ekonomisë, këto para nuk do investohen në vende të reja pune apo për kualifikim të punonjësve.
“Duhet një angazhim shumë i madh që të ndryshojmë. Ndryshimi i mentalitetit është gjëja më e vështirë që mund të bëhet. Në të tilla raste, kostot do jenë të mëdha në ekonomi. Nuk besoj se të gjitha ato vlera që do legalizohen, do jenë vlera për të investuar në ekonominë shqiptare, për të rritur mirëqenien, për të hapur vende pune. Nuk besoj se këto të ardhura do kanalizohen në këtë drejtim.”-tha ekspertja e ekonomisë.
Kortoçi bëri me dije se rezulton që emigrantët shqiptarë të kenë transferuar në Shqipëri në 6 mujorin e dytë të vitit 2022, 47 milionë euro.
"Shuma ka ardhur duke u rritur, vjen për nevojën që kanë ata për këto remitanca. Shqipëria, ose emigrantët shqiptarë renditen të 13-ët në listën e emigrantëve nga vende të ndryshme të botës që vlerën e tyre e dërgojnë si remitancë në Shqipëri.
Kur dërgojnë remitancë, do të thotë që janë nënshtruar tek tatimet, janë të deklaruar. Kur kemi një vlerë kaq të madhe, sa para ju ngelen këtyre që të deklarojnë dhe të mos i deklarojnë.
Në të tilla raste mund të themi që vlera që dërgohet nga emigrantët ligjërisht është një vlerë shumë e konsiderueshme dhe nëse marrim vlerën 48 milionë, ta pjestojmë për 2, mjaftojnë 24 veta ta bëjnë këtë vlerë, gjë që është e pamundur se 48 milionë i kanë dërguar ato shqiptarë që janë në Itali."-tha ekspertja.