SYRI TV/ Debate te Komisioni i Medias, Zhupa: Margariti të japë llogari për Urën e Zogut!
Seanca e Komisionit të Medias dhe Edukimit për sitet e trashëgimisë kulturore u shoqërua me debate mes maxhorancës dhe opozitës. Deputetja e PD, Ina Zhupa kritikoi mungesën e Ministres së Kulturës, Elva Margaritit, për dëgjesën në këtë komision, ndërsa e cilësoi atë si të papërgjegjshme. Sipas Zhupës, Margariti duhet të japë llogari për shembjen e Urës së Zogut dhe për keqmenaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Nga SYRI TV
Sitet e trashëgimisë kulturore përplasën sërish maxhorancën me opozitën në Komisionin për Edukimin dhe Mediat. Ndonëse ishte thirrur në seancë dëgjimore, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nuk u paraqit në mbledhje, duke u përfaqësuar nga vartësit e saj.
Mungesën e Margaritit e ngriti si shqetësim deputetja e PD, Ina Zhupa, e cila akuzoi ministren se është e papërgjegjshme dhe se po shmang përballjen me deputetët.
Mosparaqitjen e Margaritit në komision, ligjvënësi socialist Petro Koçi e justifikoi se ka pasur keqkuptim në dërgimin e e-mailit.
Sipas Zhupës, Ministrja duhet të japë llogari për menaxhimin e veprave arkeologjike dhe për shembjen e Urës së Zogut.
Ura e Zogut, e shpallur monument kulture e kategorisë së parë, është shkatërruar tërësisht. Mungesa prej vitesh e vëmendjes dhe e kujdesit të qeverisë pavarësisht alarmit të aktivistëve të trashëgimisë, ka bërë që lumi Mat ta shkatërrojë urën.
E pyetur për këtë çështje, ministrja Margariti ka shmangur përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se kanë kërkuar ngritjen e një grupi ndërinstitucional për të monitoruar gjendjen.